Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.

TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.

Historia e TKOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grupë i vogël administrativo-teknik. Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën ku sot ndodhet Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operas dhe baletit.

Në datën 27/11/1953 u realizua opera e parë e skenës tonë, “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky. Kjo datë hyri në historinë e TKOB si dita e themelimit të këtij teatri edhe pse në atë kohë ishte ende pjesë e Filarmonisë së Shtetit.

Këshilli i Ministrave, në vitin 1956 me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për një drejtim më të mirë të institucioneve qëndrore artistike, vendosi krijimin më vete të Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, me një kontigjent prej 246 vetash.

Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 376 datë 07/09/1956, mbi Krijimin e Drejtorive të Institucioneve Qëndrore Artistike.

Në vitin 1957, një vit më pas, u krijua dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili u bë pjesë e TKOB.

Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TKOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin e tij.

Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave vendos që godina e TKOB ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe në mars të vitit 2017 trupat zhvendosen në dy godina pranë Ministrisë së Kulturës në ish-Kinostudion “Shqipëria sot”.

Shfaqjet e para të trupës së TKOB:

Shfaqja e parë e trupës së TKOB është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky, e cila u realizua në 27 nëntor të vitit 1953.

Shfaqja e parë e baletit të trupës së TKOB, “Kujdesi i kotë” e Hertel u realizua në vitin 1957.

Shfaqja e parë kombëtare ka qënë opereta “Agimi” e kompozitorit Kristo Kono, e cila u realizua në vitin 1955.

Opera e parë shqiptare, “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova u realizua në vitin 1959.

Baleti i parë shqiptar i kompozitorit Tish Daija, “Halili dhe Hajria” u realizua në vitin 1963 me koreografi të Panajot Kanaçit.

TKOB është një teatër repertori, me një numër të madh veprash shqiptare dhe të huaja.

Operat shqiptare: “Mrika”, “Skënderbeu”, “Lulja e kujtimit”, “Komisari”, “Toka jonë”, “Borana”, “Pranvera”, “Heroina”, “Zgjimi”, “Dhoma”, “Një jetë me stuhi”, “Jeta është ëndërr” etje.

Baletet shqiptar: “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Fatosi partisan”, “Cuca e maleve”, “Shqiponja sypatrembur”, “Bijtë e peshkatarit”, “Ritme e ndjenja punëtore”, “Kecat dhe ujku”, “Duarartet vigjelentë”, “Tokë e pamposhtur” , “Para stuhisë”, “Lumi i Vdekur”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Shqiponjat”, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Vajzat e qytetit të gurtë”, “Migjeniania”, “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, “Rituali i jetës”, “Tirana by night”, “Historia e një kënge”, “Exil Deja-vu”.

Operetat shqiptare: “Agimi”, “Dhëndri u transferua”, “Karnavalet”, “Brigada e grave”, “Paja”.

Operat e huja: “Rusallka”, “Ivan Suzan”, “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Kavaleria Rustikana”, “Berberi i Seviljes”, “Evgjeni Onjegin”, “Don Paskuale”, “Madama Butterfly”, “Carmen”, “Palaçot”, “Boheme”, “Aleko”, “Peshkatarët e Perlave”, “Rigoletto”, “Dasma e Figaros”, “Trovatore”, “Toska”, “Don Zhuani”, “Il signor Bruschino”, “Cosi fan tutte”, “Norma”, “Porgy dhe Bess”, “L`Elisir d` Amore”, “Salome”, “Turandot”, “Triptiku”, “Faust”, “Andre Chenier”, “Një ballo me maska”, “Flauti magjik”, “Aida”, “Falstaff”, “Lucia di Lamermoor”, “Fidelio”, “Manon Lescaut”, “Ana Bolena”, “Përrallat e Ofmanit”, “Ëerther”, “Don Carlos”, “Skanderbeg”, “Ali Pascha Von Janina”, “Otello”, “Tannhauser”, “Orfeo ed Euridice”, “Le Villi”, “I Capuleti e i Monteçhi”.

Baletet të huaj: “Shatërvani i Baçisarajt”, “Esmeralda”, “Kujdesi i kotë”, “Romeo dhe Zhuljeta” (Çajkovski), “Lola”, “Zhurale”, “Fadeta”, “Laurencia”, “Françeska da Rimini”, “Shehrezade”, “Paganini”, “Detashmenti i kuq i grave”, “Zhizel”, “Don Kishoti”, “Hirushja”, “Rajmonda dhe Spartaku”, “Vdekja e nje mbretëreshe”, “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i mjellmave”, “Arrëthyesi”, “Carmen”, “Bajadera”, “Carmina Burana”, “Copelia”, “La Sylphide”, “Dhimbje dhe dashuri”, “Dafnis e Kloe”, “Zorba”, “La Traviata”, “Gjak dhe dritë”, “Ëndrra e një nate vere”, “Ballo e diplomës”, “La Stravaganza”, “Impact and Table”, “Risveglio dell`umanita”, “4 pieces”, “Noces”, “Monger”.

Opereta të huaja : “Princesha e Çardashit”, “Vejusha Gazmore”, “Lakuriqi i natës”.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka në përbërje të tij rreth 250 artistë stabël, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor.

 

ORKESTRA SIMFONIKE ka në përbërjen e saj rreth 50 instrumentistë. Ajo është orkestra me nivel më të lartë ndër formacionet orkestrale shqiptare kudo ndodhen, duke marrë edhe vlerësime mjaft pozitive nga personalitete të fushës, shqiptar dhe të huaj.

KORI përbëhet nga 40 artistë. Repertori i korit të TKOB është i pasur dhe i larmishëm si me vepra skenike edhe ato koncertore, shqiptare dhe botërore.

TRUPA E BALETIT ka në përbërje të saj rrethë 40 balerinë. Kjo trupë ka realizuar kryevepra të baleteve botërore dhe shqiptare si brenda dhe jashtë vendit dhe është vlerësuar me tituj nderi, çmime, medalje të ndryshme nga shteti shqiptar dhe më gjerë.

TRUPA E SOLISTEVE LIRIKË është e përbërë nga 14 artistë, të cilët me repertorin e gjerë dhe nivelin artistik përballojnë me shumë sukses titujt e kalendarëve operistikë. Në trupën e solistëve ka artistë titullarë, por edhe të rinj duke mundësuar një repertor mjaft të gjerë.

ANSAMBLI POPULLOR është krijuar në vitin 1957 me të gjithë elementet artistikë dhe teknikë të një trupe të mirëfilltë. Ky ansambël përbëhet nga 40 artistë: solistët, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave, të cilat variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh.

Trupat e TKOBAP krahas turneve artistikë, të cilët i kanë realizuar brenda vendit, kanë realizuar dhjetra shfaqje e turne jashtë vendit si në : Rusi, Jugosllavi, Gjermani, Francë, Kanada, Austri, Sh.B.A, Hungari, Rumani, Bullgari, Poloni, Çeki, Kinë, Turqi, Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Kuvajt, etj. TKOBAP ka lidhje të ngushta me disa teatro të botës dhe realizon në bashkëpunim me to shfaqje të niveleve të larta artistike. Përmendim bashkëpunimet me teatrot homolog të Bullgarisë, Greqisë, Serbisë, Gjermanisë, Frances, Italisë, Maqedonisë etje.

Në vitin 2017 TKOB u anëtarësua me të drejta të plota në Opera Europa, organi më i lartë i operas europiane. Më tej në dyvjeçarin e fundit numërohen tre protokolle të rëndësishëm bashkëpunimi, të nënshkruara me Teatrot Nacional të Operas dhe Baletit të Serbisë dhe Maqedonisë dhe së fundi me Teatrin e Operas dhe Baletit të Parmës.