Aulon Naçi

Drejtor i Përgjithshëm

e-mail: aulon.naci@tkob.gov.al

Biografi

Aulon Naçi ka një karrierë të pasur dhe të spikatur në fushën e muzikës dhe kompozicionit. Ai ka përfunduar studimet në Konservatorin “J. Tomadini” në Udine, Itali, duke u diplomuar me maksimumin e notave dhe me titullin nderi. Më pas, ka vazhduar specializimin në Belgjikë, si asistent lektor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit për një vit.
Veprat e tij janë interpretuar dhe pritur me entuziazëm në një gamë të gjerë vendesh, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Austrinë, Greqinë, Kanadanë, Holandën, Belgjikën, Rumaninë, Slloveninë dhe shumë të tjera. Ai ka udhëhequr artistikisht aktivitete të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me emra të njohur të panoramës muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare, si ansamble dhe solistë. Disa nga bashkëpunimet më të njohura janë me Korin e Filarmonisë së Kosovës dhe solistët e Orkestrës së “Teatro Alla Scala”.

Aulon Naçi ka marrë çmime të ndryshme si kompozitor dhe kontribues në muzikë përfshirë rikthimin e tij në vendlindje si “Albanian Excellence”, “Vela Latina” dhe “Krenaria e qytetit të Vlorës”. Në vitin 2023, ai u përzgjodh për të marrë pjesë në programin prestigjioz LEAD Albania, modeluar sipas programit White House Fellows në SHBA. Po ashtu, në maj 2024, ai përfundoi programin Emerging Leaders në Harvard Kennedy School duke u aftësuar në aspektet menaxheriale dhe të lidershipit.

Në vitin e fundit, z. Naçi ka kontribuar edhe si këshilltar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjithashtu prej 8 vitesh është angazhuar si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Fakultetin e Muzikës për degën e kompozicionit duke dhënë kontributin e tij për ngritjen e kapaciteteve të talenteve të reja.

Prej datës 16 dhjetor 2024 është Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

 

 


Drejtori Artistik i Operas

 

Edi Blloshmi

Drejtor i Drejtorisë së Baletit

e-mail: edi.blloshmi@tkob.gov.al

Biografi

Edi Blloshmi, lindur në Tiranë, Shqipëri, nisi formimin e tij artistik në Shkollën Kombëtare të Baletit dhe më pas vazhdoi studimet në National Ballet School of Canada. Karriera e tij nisi në vitin 2004 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, ku fitoi çmimin prestigjioz “KULT” si balerini më i mirë.

Vitin pasardhës ai u zhvendos në Kanada, ku për 10 vjet ishte Solist i Parë në Les Grands Ballets Canadiens de Montréal dhe më pas për 9 vjet në Opéra National de Lyon në Francë. Gjatë kësaj periudhe Edi interpretoi në krijimet e koreografëve të famshëm si Jiří Kylián, William Forsythe, Ohad Naharin, Mats Ek, Christopher Wheeldon, Marco Goecke, Nacho Duato, Jean-Christophe Maillot, Roland Petit, Johan Inger, Anne Teresa de Keersmaeker, Stijn Celis, George Balanchine, Christian Spuck, Marius Petipa, Mauro Bigonzetti, Stephan Thoos, Marcos Morau etj.

Gjatë karrierës së tij, Edi ka kontribuuar në shumë krijime koreografike dhe ka dhënë mësim në teatro prestigjioze si Opéra de Lyon, Ballet de Genève, Ballet Preljocaj, Les Grands Ballets Canadiens de Montréal etj. Për një periudhë 2-vjeçare, ishte anëtar i Bordit Artistik të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e cilësisë artistike në vend.

Pas hapjes së pozicionit vakant për Drejtor Baleti në TKOBAP, Edi vendosi të rikthehet në Shqipëri për të nisur një mision të ri. Ai synon të kontribuojë në zhvillimin dhe ngritjen e mëtejshme të baletit në vend, duke sjellë një qasje të re dhe bashkëkohore në repertorin e teatrit. Përvoja e tij ndërkombëtare do të shërbejë si një urë lidhëse mes artistëve shqiptarë dhe skenave prestigjioze botërore, me fokus në mbështetjen dhe promovimin e talenteve të reja.

 

Venera Breznica

Drejtor i Drejtorisë së Produksionit Skenik

e-mail: venera.breznica@tkob.gov.al

Biografi

Venera Breznica është një Production Designer dhe Costume Designer me eksperiencë të gjerë në konceptimin dhe realizimin e skenografisë, kostumeve dhe elementeve vizuale për projekte teatrale, filmike dhe evente kulturore. Formimi i saj akademik me Bachelor dhe Master në Universitetin e Arteve, Tiranë në fushën e Skenografisë dhe Kostumografisë, duke përfshire dhe Filmin/Teatrin, Pikturën dhe Fotografinë, i ka dhënë një bazë solide artistike dhe teknike për të krijuar vizione skenike të kompletuara.
Eksperienca profesionale e Venerës përfshin bashkëpunime të rëndësishme si Production Designer, ku ka kontribuar në krijimin e identiteteve vizuale të projekteve filmike/teatrale dhe komerciale. Ajo ka ndërtuar gjithashtu eksperiencë të gjerë freelance në production design, set & costume design, duke sjellë qasje të personalizuar dhe krijuese në çdo projekt.
Përveç punës në produksionet artistike, Venera ka zhvilluar aftësi shtesë në dizajn grafik dhe ilustrim, duke punuar në sektorin e promocionit gjithashtu pranë Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ky kombinim i artit skenik me dizajnin grafik dhe vizual i jep asaj një avantazh unik në krijimin e një komunikimi të plotë estetik. Venera është e motivuar të kontribuojë në produksione që kërkojnë vizion estetik, ndjeshmëri artistike dhe zbatim të saktë teknik, duke e pozicionuar veten si një profesioniste kyçe në fushën e produksionit skenik dhe artit skenik. Prej datës 19.9.2024 është Drejtor i Drejtorisë së Produksionit Skenik pranë Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

 

Sokol Marsi

Drejtor i Drejtorisë Artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

e-mail: sokol.marsi@tkob.gov.al

Biografi

Sokol Marsi është kompozitor, muzikolog dhe producent muzikor. Eshtë autor i shumë kompozimeve, përpunimeve, arranxhimeve dhe teksteve në muzikën e lehtë dhe atë popullore, muzikës se teatrit, filmit dhe asaj për fëmijë. Ka drejtuar me sukses shumë programe dhe aktivitete artistike e muzikore te jetës në vend në televizione dhe institucione të ndryshme. Detyrat në profilin e tij artistik kanë qenë të shumta dhe të suksesshme duke filluar nga drejtimi i Festivaleve për fëmijë, i orkestrës së Rtsh-se, Festivalet Kombëtare të Muzikës së lehtë në Rtsh, drejtues artistik i grupit në përfaqësimin ndërkombëtar në Eurovizion, anëtar i Bordit të Albautor, anëtar i bordit artistik të Rtsh, etj. Fitues i disa çmimeve të rëndësishme në muzikë dhe në tekste. Përfaqësues disa herë në festivalin evropian të këngës “Eurovision” si autor dhe Drejtues artistik. Artist me aktivitet të gjerë në fushën e artit dhe të medias. Aktualisht është Drejtor Artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Sokol Marsi mban titujt:
1.”Mjeshtër i Madh” Akorduar nga Presidenti i Republikës
2.”Ambasador i Paqes” Akorduar nga Organizata Botërore e Paqes

Zotëron gjuhët e huaja, Anglisht, Italisht, Greqisht

 

Elva Uruçi

Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse

e-mail: elva.uruci@tkob.gov.al

Biografi

Elva Uruçi ka lindur në vitin 1989, në qytetin e Elbasanit. Ajo ka ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, në vitet 2008-2013 Bachelor dhe Master Shkencor në Fakultetin e Ekonomisë dhe në vitin 2013-2014 Master Profesional në Fakultetin e Drejtësisë . Aktualisht vazhdon studimet për gradën Doktor Shkencash në degën e Financës.

Karriera e saj në Administratën Publike ka filluar 10 vite më parë, në Degën e Thesarit Elbasan , më pas në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe së fundmi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si Drejtor i Drejtorisë Ekonomike dhe Planifikimit Financiar.

Znj.Uruçi prej 11 vitesh është angazhuar në mësimdhënie si Pedagoge me kohë te pjesshme, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, në Fakultetin Ekonomik, në Departamentin Financë-Kontabilitet. Prej vitit 2012 e në vazhdim ka marrë pjesë si organizatore dhe autore me botime bashkëkohore në Konferenca dhe Revista Shkencore , Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Ajo komunikon rrjedhshëm në 3 gjuhë të huaja, Anglisht, Italisht dhe Turqisht.

Elva Uruçi është bërë pjesë e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Prill të vitit 2024, si Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.