Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Zana Çela prezantoi kalendarin artistik për TOB gjatë muajit shtator-dhjetor sjell 141 aktivitete, nëntë prej tyre janë premiera në gjini të ndryshme. Baleti “Zhizel” vjen si një rivënie historike në ndër të koreografit të njohur Agron Alisë.
Por shfaqja e parë e këtij sezoni është vepra vokalo-simfonike “Stabat Mater”, që sonte në mbrëmje është te Turbina. Drejtoresha Zana Çela mes të tjerave u shpreh se vëmendje do të ketë dhe për të rinjtë. “Opera shqiptare në nivelin më të lartë artistik të artistëve shqiptarë kudoqofshin ata. Do të kemi disa artistë që do të rikthehen për të interpretuar në skenën e tyre. Ardhjen e talenteve të reja në teatrin tonë që e kemi stimuluar tërë kohës do të jenë pjesë e këtij kalendari. Shfaqja “Stabat Mater” një himn i mrekullueshëm për shpresën pas një humbje edhe një dhimbje të madhe, autori i veprës fton të gjithë universin që të shpresojnë jo vetëm për një jetë, por për gjithçka të bukur që e pret njerëzimin në vazhdimësi” u shpreh drejtoresha Çela. Drejtoresha e TOB-së, Zana Çela për rikonstruksionin e TKOB tha se punimet po ecin me ritme të kënaqshme.
“Në fakt premtimi është për 2020-ën, por ne shpresojmë shumë që ritmet të kapin 2019-ën. Ministrja është shprehur vetëm nëpërmjet kontratës, ndërsa dëshira është që të futemi në 2019-ën. Specialistët që merren me punën morën mendimin tonë për disa detaje që lidhen me akustikën. Kemi punuar dje, por edhe do të vijojmë. Ritmet kanë ecur shumë mirë, nëse i krahasojmë me planin e tyre të punës. Unë jam optimiste me atë që pashë që ne do të hymë më shpejtë, por kontrata është për 30 muaj” tha Çela.
E ftuara speciale në shfaqjen e së enjtes është dirigjentja Arlinda Majollari, e cila prej vitesh jeton edhe punon jashtë vendit. “Dëshira më e madhe në zanatin tim është që të kisha një bashkëpunim të tillë me TKOB. Kemi bërë një punë shumë të bukur gjatë javës, si me korin edhe me solistët. Kjo vepër që po bëjmë është shumë e vështirë për solistët edhe për korin, 1 orë e 30 min vepër edhe nga impenjim për çdo pjesëtarë. Vetëm numri i parë zgjatë 20 minuta edhe kori është prezentë tërë kohës. Kuarteti që është numri i dytë është shumë i vështirë për solistët. Është një vepër që është shumë e bukur edhe nga muzika edhe nga mesazhi që ai kalon”, pohoi dirigjentja e “Stabat Mater”.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/