Me plot 20 aktivitete të ndryshme të shpërndara përgjatë gjithë muajit, prilli në TKOBAP nis me një mesazh të fortë ndërgjegjësimi për Ditën Botërore të Autizmit, përmes aktivitetit “Edukimi përmes artit”, duke vendosur në qendër fuqinë e artit si një urë lidhëse mes njerëzve.

Në vijim, çdo datë sjell një përjetim të veçantë: “Cavalleria Rusticana” dhe “Gianni Schicchi” ndërthurin tragjedinë dhe komedinë në një mbrëmje të vetme plot emocione; “Kur dy zemra dashurohen” vjen si një homazh i ndjerë për muzikën qytetare dhe figurën e Muharrem Gurrës; ndërsa “Kohë të çrregullta” ofron një reflektim të thellë artistik mbi realitetin bashkëkohor.

“Zorba the Greek” sjell ritmin dhe shpirtin mesdhetar jo vetëm në skenën e TKOBAP-së, por vijon edhe turneun në tre qytete të tjera, duke e bërë artin më të prekshëm për publikun. Ndërkohë, koncerti me Rafael Aguirre shpalos virtuozitetin ndërkombëtar përmes tingujve të kitarës.

Masterclass-i me Andrea Solinas krijon një hapësirë të vlefshme për rritjen profesionale të artistëve të rinj, ndërsa “Misa a Buenos Aires” sjell një ndërthurje të veçantë mes muzikës sakrale dhe tangos argjentinase, në një bashkëpunim të rëndësishëm artistik me Filarmoninë e Kosovës, në Tiranë dhe në Prishtinë.

“Kori i Zërave të Bardhë” mbush skenën me energjinë dhe pastërtinë e zërave të rinj, ndërsa “Cantata” nga Shpëtim Kushta mbyll muajin me një frymë solemne dhe emocionuese.

Një muaj i dedikuar artit në të gjitha format e tij, që e kthen TKOBAP-në në një pikë takimi të përditshëm për të gjithë artdashësit.

Për të parë te plotë kalendarin në formatin pdf:

Kalendari Artistik_Prill 2026