Qershori vjen me një kalendar artistik të larmishëm në TKOB, duke sjellë vepra që ngjallin emocione, nostalgji e mbartin mesazhe sensibilizuese.
Muaji i parë i stinës së verës nis me kryeveprën e kompozitorit italian Puccini, “Madama Butterfly” dhe përmbyll natën e fundit nga pesë net gjithsej të produksionit të ri të “Festival Puccini”, në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes së gjeniut të Torre del Lago.
Në vazhdën e bashkëpunimit me Konservatorin e Potenzës, TKOBAP do të sjellë edhe gjatë këtij muaji koncerte kushtuar muzikës së dhomës me festivalin “AlBa”, ku do të interpretojnë virtuozë të famshëm italianë.
Kryeveprat e dy kompozitorëve gjermanë, Ludwig van Beethoven dhe Carl Maria von Weber për klarinetë, i bëjnë më romantike netët e këtij qershori të nxehtë.
Pas dy koncerteve “sold out”, “Queen” dhe “Paganini in Jazz”, kompozitori dhe dirigjenti i famshëm italian Roberto Molinelli, vjen sërish në Shqipëri dhe sjell një tjetër ikonë të muzikës botërore: Michael Jackson. Homazh me hitet e mbretit të pop-it, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës dhe është shndërruar në legjendë.
Baleti premierë “Fatalite” përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë: Stop dhunës dhe nënshtrimit të gruas, që fundi i saj të mos jetë fatal! Katër kryevepra botërore, ku heroina është gruaja që vdes, përmblidhen në këtë art të bukur dramatik nga një prej koreografëve italianë më të famshëm në botën e kërcimit, Toni Candeloro.
Për të shkarkuar kalendarin ne pdf klikoni me poshte: