Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB), mbrëmjen e 14 janarit, solli për herë të parë për publikun shqiptar koncertin simfonik “Klasikët në Opera”, me kryeveprat botërore klasike.
Një program i tillë virtuoz u vu në skenë për artdashësit shqiptar, por jo vetëm, nën dirigjimin e maestros, Dritan Lumshi, nga Orkestra Simfonike e TKOB-së, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, të cilët luajtën për publikun “Symphony no.6”, shkruar nga W. A. Mozart brenda katër ditëve, gjatë një ndalese të shkurtër në Linz të Austrisë.
Ndjekur po ashtu nga solistja në piano, Etrita Ibrahimi, e cila luajti “Concerto no. 1, BWV 1052”, shkruar nga kompozitori gjerman, Johann Sebastian Bach, me pianon e re “Steinway & Sons”, të dhuruar më 16 dhjetor nga Ministria e Kulturës.
Gjithashtu, në koncertin simfonik luajti në flaut dhe solistja, Enalda Gjoni, e cila solli për të gjithë miqtë e TKOB-së veprën “Concertino da Camera”, e kompozitorit italian, Antonio Salieri.
Ky koncert premierë, që vjen si risi në TKOB pas atij të “Not’te da Oscar”, ishte i dyti i radhës i planifikuar në Kalendarin Artistik 2023, me qëllim rritjen e cilësisë artistike dhe pasurimin e kulturës shqiptare.