Artisti i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), Xhieldo Hyseni, vetëm 27 vjeç, është shpallur fitues në konkursin prestigjioz për këngëtarët e rinj lirik “AsLiCo”, të zhvilluar nga “Teatri Social i Como-s”, në Itali.
Në finalen që u mbajt të dielën e 8 janarit, ai arriti të rrëmbente i vetëm, mes shumë konkurrentëve, rolin e Salastros për veprën operistike të Mozart-it “Flauti magjik”, për ta interpretuat atë në teatrot e Lombardisë.
Këtë e njoftoi vetë drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, e cila e uroi artistin e ri për arritjen dhe u shpreh krenare se si “kultura, arti dhe muzika na sjellin me pranë njëri-tjetrit”.
“Promovimi i të tilla talenteve përtej kufijve iu hap rrugën këngëtarëve të rinj, me aftësitë e duhura, të zgjerojnë horizontin dhe të rriten si nga ana artistike, asht edhe ajo profesionale”, tha ajo.
Përgjatë maratonës 3-ditore, në edicionin e 74-t të këtij konkursit, Shqipëria u përfaqësua nga tre të rinjtë e TKOB-së, Rovena Xhelili, Xhieldo Hyseni dhe Bledar Domi, në bashkëpunim me Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) dhe me kujdesin e veçantë të drejtorit Artistik të RLIOF-it, Ulpiana Aliaj.
Teatri i Operës dhe Baletit promovon prej vitesh talentet e artistëve të rinj, në Shqipëri dhe përtej kufijve të saj. Kjo me qëllim rritjen e cilësisë së artit dhe kulturës shqiptare.
Ndër emrat e shquar shqiptar të dalë nga ky konkurs përmendim Gezim Myshketa, Ulpiana Aliaj, Marigona Qerkezi, Enkelejda Kamani, Klodjan Kacani.