Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), Abigeila Voshtina, përmes një video-mesazhi në median sociale ka uruar Vitin e Ri 2023, për të gjithë artdashësit shqiptarë e të huaj.
“Në një ditë si kjo, të gjithë vrapojmë për të pasur një moment festash, një moment intim me familjen tonë! Kështu edhe Teatri, shtëpiza jonë e madhe, feston bashkë me ju”, e ka nisur urimin ajo.
Ndërsa ka bërë një bilanc të disa prej arritjeve kryesore të TKOB-së, Voshtina ka theksuar mbylljen me sukses të një kalendari intensive 4-mujor, me plot tre premiera në Opera, Balet dhe Ansambël Popullor.
“Me një numër rreth 100 shfaqjesh që tregon ritmin intensiv të të gjithë punonjësve të Teatrit, atyre njerëzve të heshtur që asnjëherë nuk dalin në skenë, artistëve dhe të gjithë menaxhimit dhe drejtimit”, ka thënë në mesazhin e përcjellë për publikun shqiptar.
Të një rëndësie të veçantë përgjatë këtij viti ka qenë edhe performanca në valle e opera të artistëve, para liderëve të Evropës në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, theksin e vuri edhe te krijimi për herë të parë të korit të Zërave të Bardhë.
Nuk ka munguar nga drejtoresha e TKOB-së, as falënderimi për të gjithë artistët, stafin menaxhues e drejtues, si dhe punëtorët e skenës.
“Në këtë moment dua të falënderoj të gjithë stafin, për këtë përjetim kaq të madh dhe kaq emocional, për punën e pareshtur dhe dua që në dollinë e fundvitit të festojmë të gjithë së bashku vitin që po lëmë pas, sepse ka qenë një vit i paharrueshëm për të gjithë nga ne”.
Në përmbyllje të urimit, ajo pasqyroi dhe qëllimet që TKOB synon të arrijë në Vitin e Ri 2023.
“Me urimin që Teatri në Vitin 2023 të pulsojë nga këmbët e fëmijëve, nga prindërit që do t’i shoqërojnë ato, nga të gjithë koncepti që kemi për operën dhe fëmijët, nga të gjithë bashkëpunimet ndërinstitucionale, ndërkombëtare, me Konservatorin e Salernos, Kosovën, Bullgarinë e shumë të tjera, të cilat do të jenë surpriza e momentit”, tha Voshtina, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët të vinë në teatër.
“Ju mirëpres në Teatër, gjatë gjithë 2023-shit! Paqe dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!”