Opera “Don Pasquale” shkruar nga kompozitori Gaetano Donizetti rikthehet për publikun pas 64 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo bëhet me dije nga vetë institucioni, sipas të cilit vepra operistike do të jetë katër mbrëmje në skenë për publikun kryeqytetas. “Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, sjell për publikun shqiptar pas 64 vitesh operën premierë: “Don Pasquale” nga Gaetano Donizetti. Një premierë e rikonceptuar në dimensione të reja regjisoriale, përgatitje të posaçme vokale për solistët dhe shprehje e gjeneratës së re premtuese dhe të ardhmes së operas shqiptare. Në datat15, 16, 17, 18 dhjetor”, shkruan TKOB në faqen e tij. Në vepër interpretojnë Xhieldo Hyseni, Bledar Domi, Artur Vera, Solen Alla, Christian Collia, Gerald Murrja, Nina Muho, Renisa Laçka, Dorina Selimaj, Erlind Zeraliu. Në shfaqje kori dhe orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dirigjent Simon Krecic, regjisor Mariano Bauduin, skenograf Romeo Çani, kostumografia Dea Bejleri, as.regjisore Ada Gurra, dirigjent kori Dritan Lumshi dhe koncert maestër Herta Cane. Ngjarjet në operën “Don Pasquale” nga Donizetti zhvillohet në Romë gjatë shekullit të 19-të. “Don Pasquale” është një opera buffa, ose opera komike, në tre akte me një libret italian të përfunduar kryesisht nga Giovanni Ruffini si dhe nga kompozitori. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit pret publikun këto ditë dhjetori për të ndjekur historinë e Pasquale-s, beqarit të vjetër, të pasur, por koprrac. I cili, dëshiron të martojë nipin e tij Ernesto: me një grua të pasur. Megjithatë, Ernesto preferon të venë e re dhe të varfër Norina, e cila e do atë. Edhe pse Don Pasquale nuk e ka parë kurrë Norinën, ai e refuzon martesën dhe e dëbon Ernesto nga shtëpia e tij. I dëshpëruar, Ernesto i shkruan një letër lamtumire Norinës së tij të dashur. Por Norina nuk do të heqë dorë nga Ernesto. Kjo opera premierë që pritet të jetë në skenë për katër net vjen në vijim të shfaqjeve të tjera, që kanë qenë gjatë këtij sezoni artistik. 

https://sot.com.al/kultura/opera-don-pasquale-rikthehet-pas-64-vitesh-ne-teatrin-kombetar-te-operes-i554688