Orkestra e Ansamblit Popullor vjen me një koncert recital në dy mbrëmje për publikun. Në koncertin e titulluar “Këndojmë me Orkestrën e Ansamblit Popullor” instrumentistët do të luajnë muzikë, por dhe do të këndojë në momente të veçanta. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se për herë të parë, orkestra e Ansamblit Popullor  vjen në një formë krejtësisht origjinale, me një koncert recital. “Në datat 3 dhe 4 dhjetor, ora 19:00, vjen ky recital risi, sepse për herë të parë, repertori më i spikatur i muzikës instrumentale të orkestrës së ansamblit, vjen në një formë krejtësisht origjinale, duke u integruar edhe me këndimin e orkestrës. Orkestra e Ansamblit do të luajë muzikën dhe njëkohësisht edhe do të këndojë në momente të veçanta”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor për këtë koncert që do të jetë në dy net. Koncerti vjen në vijim të veprimtarisë artistike që po zhvillon orkestra e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Përgjegjës i orkestrës është Alban Tahiri dhe në dy net për publikun pritet një program i pasur muzikor.

https://sot.com.al/kultura/orkestra-e-ansamblit-popullor-vjen-me-nje-koncert-recital-repertori-me-i-i553006