Valset, ariet dhe muzika e bukur e kompozitorit Johann Strauss vijnë mbledhur në një vepër të vetme, opereta “Die Fledermaus”. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell për tre mbrëmje me radhë këtë vepër për publikun. Opereta e dritave dhe atmosferës së fundit të vitit në Vjenë, sipas TKOB rivjen në skenë në datat 17, 18 dhe 19 nëntor si për të bekuar edhe nisjen e atmosferës festive të kalendarit artistik të teatrit. Një histori ku gërshetohet klasi dhe grotesku, mes mondanitetit, luksit dhe mashtrimit në shoqërinë vjeneze të 1870-ës, një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë e hasim edhe sot. Gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, kurorëshkelës, politikanë, pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre. E gjithë kjo ngarkesë e madhe emocionale e veprës së Johann Strauss, atmosfera e mrekullueshme e saj realizohet nën interpretimin e të gjitha trupave të TKOB. Në skenë krijohet një ndërthurje mes operas, baletit dhe teatrit skenik, ku dialogjet mes aktorëve interpretohen në gjuhën shqipe, duke krijuar një atmosferë emocionuese. Orkestra, solistët, kori dhe trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) janë në “Die Fledermaus”. Dirigjent në vepër është Dian Tchobanof; regjisor/koreograf Renato Zanella, skenograf Bashkim Zahaj. Kostumografia Enada At’ Nikolla, as/regjisore Ada Gurra. Personazhet dhe interpretët: Gabriel von Eisentstein – Denis Skura; Rosalinde – Renisa Laçka, Nina Muho; Falke – Solen Alla, Armando Likaj; Alfred -Armaldo Kllogjeri; Adele – Ramona Tullumani, Rovena Xhelili; Orlofsky – Amelda Papa; Frank – Erlind Zeraliu; Ida – Simona Karafili, Viola Bakiasi; Blind – Gilmond Myftari; Frosch – Genc Vozga. Solistë baleti: Ledia Sulaj, Gerd Vaso, Adela Muçollari, Dion Gjinika.
https://sot.com.al/kultura/opereta-die-fledermaus-nga-johann-strauss-nje-komedi-situatash-dhe-ngate-i549479