Një mbrëmje kushtuar baritonit Mihal Ciko, në 120 vjetorin e lindjes së tij u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kujtimi për artistin mblodhi në hollin e TKOB, ish studentë të artistit, familjarë, miq të teatrit, dashamirës arti, etj, në një mbrëmje konceptuar me vizionimin e portretit dhe objekteve muzeale të artistit dhe mjeshtrit të vokalit. Jeta dhe vepra e artistit erdhi dhe me dokumentarin “Rrënjët” me skenar nga Teodor Laço dhe regjisor Viktor Gjika. Të ftuar për të ndarë mbresa mbi artistin dhe kontributet e tij madhore artistike, ishin muzikologu Pandi Bello dhe intermexo muzikore e alternuar me refleksione nga dr. Behar Arllati dhe pianisti Johan Botka. Familja e artistit emocionoi me përshëndetje muzikore nga Rudina Ciko dhe fjalë zemre për artistin dhe për atin, nga maestro Zhani Ciko. Vetë teatri shprehet se muzika operistike dhe arti i çdo forme, mjeshtërisht jetojnë në kohë dhe i bëjnë ballë çdo kufiri hapësire për të dalë në pah, për t’u njohur e shkruar historinë. ““Artisti i Merituar” Mihal Ciko është dëshmi e përjetshme dhe vlerë e shtuar e kujtesës sonë artistike kombëtare”, thuhet nga TKOB. Sopranot Eva Golemi, Ramona Tullumani, Shpresa Beka, tenori Solen Alla, pianisti Igli Rapaj dhe Thanas Paskali ishin pjesë e kësaj mbrëmje artistike, dirigjent kori Dritan Lumshi. Mihal Ciko lindi më 29 gusht 1902, në qytetin e Korçës dhe në moshën 6-vjeçare, familja e tij emigroi në Rumani, ku janë dhe fillesat e tij të para artistike me shoqërinë artistike “Liria” në Bukuresht, ku aktivizohet si korist, por edhe si aktor e më vonë si dirigjent i saj. Studimet e larta për këngëtar lirik (bariton) i kreu në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Milanos, ku u diplomua me rezultate shumë të mira. Ciko ishte baritoni i parë që solli Alfio-n dhe “Cavalleria Rusticana” në skenën e Teatrit të Operës. Ai dha një kontribut të rëndësishëm si drejtues kori, pedagog zëri dhe regjisor. Njëkohësisht, punoi edhe si shef muzike në Radio Tirana. U nda nga jeta më 24 janar të vitit 1986.

https://sot.com.al/kultura/artistet-e-tkob-ne-nje-mbremje-kushtuar-baritonit-mihal-ciko-i547924