Ansambli Popullor vjen këtë mbrëmje me shfaqjen “Trimat e Jutbinës”. Muzika origjinale dhe regjia Gerti Druga, “Trimat e Jutbinës” është e konceptuar mbi legjendat shqiptare të marra nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli. Programi i shfaqjes që do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bazohet në 11 rrëfimet e vëllimit “Tregime të moçme shqiptare”, konceptuar në 11 momente të ndryshme, ku do jenë ndërthurur muzika, vallet, ritet. Drejtori artistik Gerti druga shprehet se i dashuruar që fëmijë me tregimet epike të Mitrush Kutelit dhe skicat grafike të piktorit Gazmend Leka, midis shumë ndikimeve të tjera në formimin e tij shpirtëror dhe intelektual, kjo vepër rrënjosi konceptin e besës, të një bote të madhe traditash, dhembshurisë së nënës, pritjes, largimit, vdekjes dhe të përjetshmes. ““Trimat e Jutbinës” është një letër dashurie, për gjithçka që na ka hapur shpirtin dhe mendjen për të parë përtej atyre që shohim fizikisht. Ju pres në Teatrin e Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në datat 9-10 nëntor, ku së bashku me trupën e jashtëzakonshme të Ansamblit Popullor, do rrëfejmë një pjesëz të këtij cikli madhështor të epikës shqiptare”, shprehet Druga në një reagim të tij rreth shfaqjes në Facebook. Shfaqja vjen këtë mbrëmje në skenë, por emrin e skenarit e mban Petrit Ruka, projeksion Genci Osmani, ilustrimet Gazmend Leka. Koreografia Rexhep Çeliku, Genc Kastrati, Jera Çurçia. Interpretojnë grupi vokal dhe trupa e valleve e Ansamblit Popullor. Muji- Gëzim Halili; Zanat- Jera Çurçia, Olta Ahmetaj; Orët- Helga Saraçi. Trimi i parë Enkelejd Bajraktari, tridhjetë agallarët e Jutbinës trupa e valleve. Ajkuna- Hatixhe Lushi.
Rreth shfaqjes
Kjo shfaqje thuhet në materialin e TKOBAP synon të realizojë një koncept krejtësisht të ri për sa i përket natyrës së ansamblit. “Ndërthurja e muzikës instrumentale, e cila personifikon personazhet kryesorë, me përpunimet vokal- korale, përpunimin e këtyre rrëfimeve në një subjekt të rrjedhshëm, thuajse një opera, me motive të muzikës tradicionale, ardhur në kohën e sotshme si dhe ndërhyrjet e koreografive solistike dhe atyre masive”, thuhet nga institucioni. Të njëmbëdhjetë rrëfimet e vëllimit të Mitrush Kutelit (1907-1967), janë rikallëzime të motiveve tona popullore -të baladave, të eposit të kreshnikëve dhe të kohës së luftërave të gjata shqiptaro-osmane. Këto tregime, të veshura me bukuritë artistike të njërit nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të rrëfimit, Mitrush Kuteli, monumentalizojnë universe e drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë- të kohës kur arbërit sfidoheshin nga fuqi të padukshme e nga bajlozë dhe shkelës gjithfarësh që vinin nga toka e deti (“Rozafati”, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini”), të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë (“Muji dhe zanat”, “Muji dhe Behuri”, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri”) dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve.
https://sot.com.al/kultura/shfaqja-trimat-e-jutbines-nga-ansambli-popullor-konceptuar-mbi-legjendat-i547923