Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” do të vihet në skenë për 50-vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Vepra e baletit me muzikë nga Tish Daija do të jetë në skenën e Prishtinës me artistët nga Shqipëria e Kosova. Për këtë vepër Baleti Kombëtar i Kosovës, trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë dhe Filhramonia e Kosovës, i kanë bashkuar forcat për këtë shfaqje me muzikë nga Tish Daija, koreografia origjinale nga Panajot Kanaçi. Vënia tani në skenë nga koreografe/baletmaestër Alisa Gjoni dhe dirigjent i orkestrës Gridi Kraja. Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” do të shfaqet më datë 9 tetor në sallën e sporteve “1 Tetori”, për të shënuar kështu gjysmë shekulli jetë të baletit në Kosovë. Primbalerina e TKOB Ledia Sulaj në këtë vepër interpreton Rushen. E gjendur këto ditë në Kosovë ku po punon për shfaqjen, Ledia Sulaj e vlerëson shumë këtë bashkëpunim. “Patjetër që është kënaqësi, privilegj që përfaqësoj Shqipërinë në Kosovë. Do të jenë personalitete të shquara të artit mbarëshqiptar të ftuar. Për herë të parë ky balet lidhet dhe me Filharmoninë”, tregon ajo. Primabalerina Ledia Sulaj është një nga emrat e vlerësuar të skenës shqiptare. Ajo ka interpretuar në shfaqje të ndryshme baleti, por këtë herë do të jetë në Kosovë. Ajo thotë se artistët kanë dhe përgjegjësinë që të trashëgojnë të shkuarën tek e ardhmja. ““Halili dhe Hajria” baleti i parë shqiptar do të vihet në skenë për 50-vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Si hera e parë në çdo gjë ka një emocion të veçantë dhe unik. Kemi një peshë të madhe të trashëgojmë të shkuarën tek e ardhmja”, shprehet Sulaj.

Vepra e baletit

Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”. Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj. Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

https://sot.com.al/kultura/ledia-sulaj-baleti-halili-dhe-hajria-ne-skene-per-50-vjetorin-e-themelim-i541030