Baleti kontemporan “Dua” është një krijim unik i koreografit Taulant Shehu. Një performancë që vjen për herë të parë në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Baleti frymëzuar nga tradita e dasmave do të jetë në skenë për publikun mbrëmjet e datave 8 dhe 9 tetorj. TKOB shprehet se ky balet kontemporan me jehonën që ka pasur në teatrot e huaja vjen edhe në skenën shqiptare. “Një nga projektet më të mëdha të koreografit të njohur shqiptar Taulant Shehu, baleti kontemporan “Dua” me jehonë në teatrot e mediat Gjermane, por edhe Evropiane, vjen në skenën e TKOB për dy net radhazi së bashku me trupën e baletit të TKOB dhe muzikë nga Arne Stiven”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në faqen e tij. Koreografi i njohur shqiptar me baletin “Dua” sjell dasmën. Në një material rreth baletit kontemporan në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit thuhet se dasma në vendin tonë është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e të rinjve për shkak të asaj çka ajo përfaqëson në shoqërinë tone. “Nuk janë vetëm dy njerëz që takohen. Janë familje, struktura sociale të reja që krijohen, emocione të reja që lindin dhe emocione të vjetra që ringjallen”, thuhet në materialin e shfaqjes. Festa e madhe e dasmës është simbol i gëzimit, bashkimit dhe premtimit të madh për përjetësi. Dhe është pikërisht ky premtim vijon materiali, që sjell dhe anën e errët, konfliktin, vetminë, mosmarrëveshjet dhe dramën që mbart në vetvete një festë e madhe si kjo. “A është e mundur t’i premtojmë dikujt përjetësinë? Dasma si kulmi i solemnitetit, gëzimit dhe premtimit për të qëndruar përgjithmonë bashkë, bëhet pikënisja e një reflektimi mbi bashkëjetesën njerëzore në përgjithësi. Taulant Shehu, koreografi i performancës “Dua”, i drejtohet secilit pjesëmarrës dhe eksploron koreografikisht historitë, emocionet dhe prejardhjen e tyre”, thuhet për shfaqjen e baletit, që do të jetë dy net me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB).
Aktiviteti artistik
Koreografi shqiptar Taulant Shehu, që ka vënë më parë në skenat më të njohura në Gjermani, shfaqjen e tij të titulluar “Dua” frymëzuar nga tradita e dasmave është mirëpritur nga publiku i huaj. Por kompozitori Arne Stevens në këtë sfidë me traditën (te baleti “Dua”) na vë përpara një kompozim, i cili duke përdorur instrumente tradicionale shqiptare, përqendrohet edhe muzikalisht në origjinën kulturore të kësaj vepre. Taulant Shehu zhvillon një aktivitet artistik me vlerësime jashtë Shqipërisë. Ai ka ndjekur Shkollën e Baletit në Tiranë nga viti 1999 deri më 2006. Pas përfundimit të shkollimit, ai fillimisht ka bërë balet në Düsseldorf, pastaj në Dortmund. Nga viti 2010 ka kaluar në Wiesbaden, dhe që nga viti 2014, në Baletin Shtetëror të Hessenit. Vepra e baletit që do të jetë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është pjesë e aktiviteteve, që po zhvillohen këtë sezon artistik të ri që ka nisur në këtë institucion.