Një numër i madh artistësh egjiptianë do të shfaqin punën e tyre në një javë të pasur aktivitetesh, duke përfshirë muzikë, kërcim, art pamor, leksione, seminare dhe shfaqje filmash.

Në kuadër të saj, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, njoftoi çeljen e ekspozitës kushtuar një prej perlave të koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare, veprës monumentale me 11 vëllime, e cila shënon fillimet e egjiptologjisë si shkencë

Bëhet fjalë pikërisht për “Description de l’Egypte, ou, Recueil des observations et des recherches qui ont été faites en Egypte pendant l’expédition de l’armée française”.

E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore, por edhe artistike të kohës, kjo vepër që përmban 844 gravura, – vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, – ushtroi një ndikim mjaft të madh në mbarë Evropën.

Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë në mbarë botën perëndimore.

Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme, që po i bëhet e njohur për herë të parë publikut shqiptar, përbën një prej perlave të koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Më pas, Ahmed Ghobashi do të flasë për egjiptologjinë dhe përfaqësimet egjiptiane të kulturës mesdhetare, ndërsa romancieri Ahmed Mourad do të diskutojë për letërsinë egjiptiane më 21 shtator.

Artisti pamor egjiptian, Ahmed El Shaer, do të mbajë një ekspozitë ku do të prezantojë artin bashkëkohor me fokus në muralet.

Në ditën e mbylljes do të ketë edhe një shfaqje folklorike nga balerinët egjiptianë që prezantojnë shfaqjen në Sheshin Skënderbej.

Ngjarjet do të shtrihen në shumë ambiente në Tiranë, duke synuar një larmi të madhe audiencash.

Vendet përfshijnë Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Kalanë e Gjirokastrës, Galerinë Kombëtare të Arteve, Universiteti i Tiranës, Qendra Kombëtare e Kulturës Familjare, Instituti i Arsimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, Qendra për Hapje dhe Dialog, Sheshi Skënderbej dhe kinematë lokale. https://albanianpost.com/nis-java-kulturore-egjiptiane-ne-tirane/