Java e Kulturës Egjiptiane nisi me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Muzikantë nga Orkestra e Operës së Kajros dhe Orkestra e TKOB u bënë bashkë mbrëmë në një koncert gala, i cili prezantoi për publikun disa vepra të famshme simfonike, lirike dhe klasike egjiptiane e shqiptare. Koncerti ishte me pjesëmarrjen e sopranos së shquar egjiptiane Amira Selim nën drejtimin e Maestro Nayer Nagui. Disa orë para zhvillimit të koncertit, ministrja e Kulturës Elva Margariti priti ministren e Kulturës së Egjiptit, znj. Nevien El Kilany, e cila ndodhet në Tiranë për
hapjen e Javës së Kulturës Egjiptiane. Po dje u nënshkrua dhe memorandumi i bashkëpunimit mes TKOB dhe Operës së Kajros. Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar midis Operës së Egjiptit dhe asaj shqiptare ka për të qenë një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve artistike, veçanërisht të të rinjve. “Fryt i bashkëpunimit midis dy vendeve janë edhe një sërë aktivitetesh kulturore, në kuadër të Javës Kulturore Egjiptiane, është edhe koncerti gala me pjesëmarrjen e sopranos egjiptiane Amira Selim”, u shpreh znj. Nevien El Kilany. Ministrja Margariti në TKOB bëri një prezantim të Javës Egjiptiane. Margariti u shpreh për “Description de l’Egypte”, një ekspozitë e disa librave origjinalë, monumentalë, shkruar nga një mori studiuesish, në traditën e udhëtimeve kërkimore shkencore të shekullit XVIII dhe botuar me urdhër të Napoleon Bonapartit. Ky koleksion i përket thesarit të jashtëzakonshëm dhe të paekspozuar më parë të Bibliotekës Kombëtare. Për të mos u humbur sipas saj është edhe koncerti me muzikë folklorike egjiptiane, në Sheshin “Skënderbej”. “Egjipti i kulturës së jashtëzakonshme vjen me një kalendar të bukur, që nis me një koncert të Orkestrës së Operës së Kajros dhe të Teatrit të Operës dhe Baletit, si një kurorëzim i memorandumit të bashkëpunimit mes dy teatrove tona të operës, për të vijuar me një ekspozitë të rrallë, të organizuar po në këto ambiente nga Biblioteka Kombëtare, që na zbulon Egjiptin përmes imazheve”, tha Margariti.
Bashkëpunimi mes institucioneve
Memorandumi i bashkëpunimit me Teatrit tonë të Operës dhe Baletit dhe Qendrës Kombëtare Kulturore “Shtëpia e Operës së Kajros”, të Republikës Arabe të Egjiptit, u firmos nga z. Haytham Alhaj, kryetar i bordit të Organizatës së Përgjithshme të Librit Egjiptian dhe znj. Abigeila Voshtina, drejtore e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Sipas ministres së Kulturës Elva Margariti, ky memorandum ka si qëllim njohjen e ndërsjellë të kulturave të dyja vendeve tona dhe inkurajimin e nismave të përbashkëta; krijimin e kushteve për realizimin e shfaqjeve të përbashkëta dhe shkëmbimin e artistëve. Po ashtu sipas Margaritit dhe pjesëmarrjen në festivale dhe aktivitete që zhvillohen në dy vendet tona; promovimin e veprave origjinale; projekte të përbashkëta që do të përmirësojnë menaxhimin e teatrove, ekspertizën kuratoriale, strategjitë e marketingut, komunikimin, marrëdhëniet me medien, arsimin dhe audiencën etj. “Besoj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të ri, që do të zgjerohet edhe në fusha të tjera jo vetëm në opera dhe balet, por edhe në arte pamore, teatër etj”, tha Margariti. Java e Kulturës Egjiptiane do të vijojë me aktivitete deri më 25 shtator.