Etno muzikali “Zare”, premiera e parë këtë sezon artistik e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore do të trajtojë temën e dashurisë midis dy të rinjve. Rrjedha e ngjarjeve e këtij muzikali, që nga lindja e dashurisë deri në martesën e Zares me Arbrin do të shtjellohet në tre skena. Premiera do të jetë mbrëmjet e datave 14 dhe 15 shtator në skenën e TKOBAP dhe drejtori artistik i Ansamblit Popullor Sokol Marsi thotë se vepra të tilla kanë munguar në skena. ““Zare” është një etno muzikal me tre akte. Është një shfaqje vepër risi për publikun shqiptar, pasi nuk është thjesht një shfaqje e zakonshme, por një muzikal i plotë ku ndërthuren muzika, vallja, kënga dhe aktrimi. Ka pasur një mungesë shumë të madhe në skenat shqiptare për vepra të tilla, aq më tepër shqip, pasi theksoj se i gjithë materiali muzikor dhe koreografik është autentik shqiptar i risjellë në skenë me mjeshtri nga muzikanti Edi Xhani dhe koreografi Andrea Kokeri”, shprehet Marsi. “Zare” është një premierë në fillim të kalendarit artistik të sezonit të ri të Ansamblit Popullor ndaj edhe rëndësia, përkushtimi, puna me provat, etj, është e madhe nga ana e artistëve. Drejtori artistik i ansamblit Sokol Marsi thotë se në këtë shfaqje janë angazhuar rreth 100 artistë, por nuk mungojnë dhe të ftuarit special. ““Zare” është një shfaqje nga të rrallat, që mund të vihen në skenat shqiptare kur flasim për muzikën popullore, pasi në të interpretojnë rreth 100 artistë si instrumentistë, valltarë, koristë, solistë, etj. Solistë kryesorë janë Ajkana Topalli në rolin e Zares dhe Rei Berisha në rolin e Arbrit, si edhe këngëtar solist i ftuar special Ilir Shaqiri nga Kosova, Aranit Hoxha solist i Ansamblit Popullor dhe Iris Bega, Sofika Kola, etj”, tregon ai.

Sezoni i ri artistik

“Zare” do të vijë në dy mbrëmje me radhë për publikun me artistët e Ansamblit Popullor, por drejtori artistik Sokol Marsi tregon se në vijim të aktivitetit do të ketë dhe të tjera premiera popullore për publikun. “Synojmë që në këtë sezon të ri, duke përfshirë edhe nga janari deri në korrik të vitit 2023 në Ansamblin Popullor të sjellim edhe 3 premiera të tilla të mëdha në gjininë e muzikalit, pasi vërtetë janë vepra që kanë interes të madh në publik, sigurisht së bashku edhe me disa premiera të tjera dhe pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare”, shprehet Sokol Marsi. “Zare” është me pjesëmarrjen e orkestrës, grupit të valleve dhe grupit koral të AP, orkestrës simfonike të TKOB, bendit muzikor, balerinëve të shkollës së baletit, grupi baletit “IDAA”. Muzika Edi Xhani dhe koreograf Andrea Kokeri. Solist këngëtar: Ilir Shaqiri, Aranit Hoxha, Iris Bega, Sofika Kola. Solist valltar: Ajkana Topalli, Rei Berisha, Genci Kastrati, Enkelejd Bajraktari, Marjana Shkreta, Olta Ahmetaj, Elton Cefa, Gezim Halili, Jera Curcia, Mirela Bekteshi, Leonard Mitrushi, Endri Sejati, Arlinda Mulgeci, Helga Saraçi.

https://sot.com.al/kultura/sokol-marsi-zare-nje-etno-muzikal-me-tre-akte-ku-nderthuren-muzika-vallj-i535617