Një mbrëmje me të vërtetë mbresëlënëse ajo e 1 Shtatorit në TKOB. Shumë mbresa në shumë nivele për mua në këtë hapje të sezonit. Edhe pse kam kohë që jam një frekuentues i rregullt i shfaqjeve në TKOB (për mendimin tim një nga ishujt e pakët dinjitoz të artit në Shqipëri), koncerti hapës i këtij sezoni intrigonte specifikisht me titullin – Renaissance of a “Barbarian artist”- dhe me prezencën e pianistit ndërkombtarisht të njohur Giuseppe Albanese dhe dirigjentit Jacopo Sipari Di Pescasseroli . Dhe pritshmëritë e mia nuk u zhgënjyen, madje u tejkaluan bollshëm. Koncerti solli dy pjesë të fuqishme secila në mënyrën e sajë. I pari Koncert për piano dhe orkestër nr. 2 nga Rahmaninov dhe më pas Simfonia nr. 5 të Shostankoviç. Njohuritë e mia muzikore janë modeste por pa shumë modesti do thosha që emocionet janë fusha ime e ekspertizës. Dhe emocionet ishin të shumta. Rahmaninov është tronditës, shkundës, rrëmbyes, por edhe përkëdhelës, qetësues e sigurues. Jo të renditura kështu me këtë ndarje siç e përshkruaj unë por të ndërthurura në mënyrë të atillë që në momente të caktuara të zinin të papërgatitur. Ndjesitë e perceptuara alternoheshin duke i lënë vend njëra tjetrës. Trishtim e vulnerabilitet e më pas zemërim e forcë. Pastaj ca melankoli e “marinuar” me ironi e sarkazëm. Por nuk vonon qetësia, ëmbëlsia dhe falënderimi. Po po falënderimi!
Për jetën, rikthimin, ndihmën dhe kujdesin. Artistja më e dashur për mua, Simona Karafili Demi , më pëshpëriti në vesh: Folia ed equilibro nello stesso tempo! Ja që një artiste më përmblodhi në një fjali të gjitha përsiatjet e mia emocionale ndërkohë që dëgjoja këtë perlë të muzikës klasike. Dhe këtu vijmë tek titulli i këtij postimi. Këtë koncert Rahmaninov ia ka dedikuar psikiatrit të tij Nikolai Dahl i cili për tre muaj me radhë, ditë për ditë, e risolli në jetë emocionalisht dhe artistikisht Rahmaninovin. Punoi me hipnozë dhe terapi mbështetëse pasi psikoanaliza akoma ishte duke u gatuar në mendjet e Zigi Frojd & co. Gjithsesi Dahl dhe Frojdi kanë të përbashkët eksperiencat e tyre nxënëse dhe influencën nga neurologu Jean Martin Charcot që ishte ndër pionierët e hipnozës. Në këtë pikë nuk është e mundur të mos t’a marr ca personalisht këtë koncert dhe rrjedhimisht të rrezikoj të bëhem subjektiv. Profesioni që bëj, ka një raport të vështirë me sodisfaksionin. Ai mund të vijë vonë dhe me vështërsi. Ose mund të mos vijë fare. Dhe jo sepse e ke bërë punën keq por sepse gjatë punës shpesh hedh vetëm farën e ndryshimit dhe mund të përjetosh ( në qoftë se je me fat) filizat e parë të këtij ndryshimi. Frytet vështirë se ia merr pasi mund të duan shumë kohë dhe raporti me pacientin edhe mund të jetë shkëputur. Por jo në rastin e Dahl! Rahmaninov brenda vitit i dedikoi Dahl këtë kryevepër dhe i dha njerëzimit përjetësisht emocione të mëdha. Do ta kishim këtë kryevepër e të tjera pas saj në qoftë se nuk do ishte Dahl? Fjalia e fundit duket si një produkt narcizismi profesional po fundja një dozë e shëndetshme narcizismi i bën mirë kujdo. Kaq për Belulin dhe le të kthehemi te koncerti e mbresat për të. Dirigjenti dhe pianisti tërësisht të përhumbur në interpretimin e tyre. Të bëre njësh me muzikën. Lëvizjet, grimasat, mikro-muskujt e fytyrës që alternohen në kontraktim-çlirim, dramatizojnë interpretimet e tyre por pa kaluar në patetizëm. Orkestra e fuqishme dhe besnike e dy të parëve.
Dhe në përfundim duartrokitje pa fund. Bravo-t e publikut rikthyen 2-3 here italianin Albanese dhe dirigjentin Sipari. Albanese dhuron edhe një bonus si pasojë e këmbënguljes së publikut. Një pushim mes dy pjesëve ishte i merituar duke pasur parasysh forcën e Rahmaninov. Pushimi krijon një dimension tjetër përshtypjesh. Njerëz që psherëtijnë. Ca me lot në sy. Simona takon kolegë që nuk kujtojnë që kur të kenë përjetuar emocione të tilla si spektatorë. Në këto biseda ndoshta për herë të parë pikasa dhe ca doza kënaqësie e krenarie e të qenurit pjesë e këtij “ishulli artistik”. Në holl vë re rikthime të rëndësishme personalitetesh të artit e prezencë njerëzish që spikasin jo vetëm profesionalisht në fushat e tyre por edhe intelektualisht në ekzistencën e tyre. Shumë pak politikë në atmosferë dhe mirë bënë sepse koncerti i mbrëmjes së kaluar nuk ofronte vizibilitet por ushqim shpirtëror që fatkeqësisht nuk është i preferuar nga politika. Është radha e Shostankoviç. Një tjetër kryevepër. E një tjetër lloji. Qartësisht e ndryshme edhe pse mbirë në të njëjtin truall. Rusi. Në të njëjtin truall por në kushte të ndryshme klimaterike politike. E qartë influenca shoqërore e politike e epokës kur janë kompozuar të dyja veprat. Rahmaninov në 1901 dhe Shostankovic në 1935, periudhë influence të fuqishme sovjetike dhe në ca momente seç na tingëllonte familjare. Dhe ndoshta kjo influence na zbriti ca nga qiejt ku na fluturoi Rahmaninovi. Ndoshta beri mirë në raport me nevojën për gjumë që ka njeriu. Interpretimi nga orkestra dhe dirigjenti Sipari përsëri i duartrokitur gjatë e me ovacione. Duke dalë dëgjoj komentet e spektatorëve me njëri tjetrin. Të gjitha në sinkron. U kënaqëm shumë!/dritare.net
https://dritare.net/ngjarjet-e-dites/tkob-nis-sezonin-me-nje-dedikim-per-nje-psikiater-i729906