Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit u elektrizua mbrëmjen e së enjtes nga ndërthurja e simfonisë që korri sukses triumfal në Leningrad, atë të Schostakoviç-it dhe koncertit të mirënjohur të Rachmaninoff-it, “Renaissance of a Barbarian Artists”. Me pjesëmarrjen e veçantë të dirigjentit të mirënjohur Jacopo Siparo di Pescasseroli, dhe pianistit me famë ndërkombëtare Giuseppe Albanese, në bashkëpunim me orkestrën e TKOB duke filluar kështu sezonin e ri artistik. 

“Perceptova një afeksion nga ana e publikut në limitet e së rrallës. Edhe me orkestrën u ndjeva shumë mirë. I bëra komplimente të gjithë profesorëve, sidomos për dy gjëra; serioziteti dhe profesionalizmi. Dëshironim diçka ekskluzivisht live dhe me transmetimin e emocioneve që vetëm live mund të ndodhin”,  tha pianisti Giuseppe Albanese 

Publiku e ktheu tre herë në skenë pianistin virtuoz. I pyetur si e zgjodhi repertorin që I prezantoi Tiranës, ai tha se merita ishte e dirigjentit. “Jacopo insistoi që absolutisht të kishim në repertor Koncertin e Rachmaninoff. Unë i thashë që kam shumë gjëra për të bërë dhe nuk di nëse mund ta rimarr. Pas tre ditësh e mora në telefon dhe i thashë: Jam gati. Në të vërtetë më bëri dhe një dhuratë sepse mendoj që kam brenda vetes një freski të rinovuar”, tha Giuseppe Albanese 

Pianisti i lindur në Kalabri pohon se pavarësisht vendlindjes dhe mbiemrit Albaneze ai nuk di të ketë prejardhje shqiptare. “Mbiemrin e kam Albanese por jam kalabrez. Duhet të bëj një rikostruktim të pemës gjenologjike për të kuptuar nëse kam origjinë vërtetë shqiptare, por nuk kam asnjë të dhënë për këtë”, tha Giuseppe Albanese. 

https://top-channel.tv/2022/09/02/nis-sezoni-muzikor-teatri-i-operas-thyen-traditen-celet-me-simfoni-dhe-jo-me-opera5/