Drejtorja e “OPERA-s”, Abigela Voshtina ka prezantuar kalendarin artistik të këtij sezoni si dhe bordin e institucionit, pjesë e të cilit bëhet edhe sopranoja Ermonela Jaho. 

“Opera” rinis e flet përmes shfaqjeve në këtë sezon të fundit të këtij viti. “Rilindja e një ‘artisti barbar’” është koncerti i parë premierë që vendos në qendër të vëmendjes orkestrën simfonike, me të ftuar artistët italianë, dirigjentin Jacopo Sipari dhe pianistin Giuseppe Albanese. 

Dëshira që orkestra të ishte diamanti në 360 gradë ka qenë gjithmonë dhe do vazhdojë të jetë”, thotë drejtorja e TKOB Abigela Voshtina. 

Krahas premierave, rivënieve skenike, kalendari për muajt shtator-dhjetor i prezantuar këtë të mërkurë në “Opera”, pasurohet me aktivitete të nismës “Edukimi përmes Kulturës” si dhe të Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Zë vend në skenën e “Operas”, shfaqja Cavalleria Rusticana”, me regji të Nikolin Gurakuqit, do të mbahet Festivali Dancit prej 27 tetorit ku do të shfaqjen edhe pjesë baleti të Angelin Preljocaj e një sërë aktivitetesh të tjera ku përfshihen edhe performancat e Ansamlit të Këngëve dhe Valleve Popullore. 

“Do të vazhdoja më tej me premierën ‘Zare’, një muzikal i Ansamblit Popullor që vjen i propozuar nga drejtori i tij Sokol Marsi, më tej një premierë baleti kthen Taulant Shehun. Pas kësaj do të kemi një preinagurim të vitit verdian me “Requiem Verdi”. Pastaj do të kemi gjithashtu Gent Dodën, dhe nëntori i dedikohet festave kombëtare. Kemi premierën “Don Pascquale” dhe fund viti mbyllet me festën e Krishtlindjeve dhe një Gala operistike dhe baleti”, shprehet më tej Voshtina.  

Ndërkaq, tanimë Teatri i Operas ka edhe bordin e saj artistik. 

“Ne kemi dalë tanimë me një urdhër të firmosur prej meje për sa i përket Bordit Artistik. Jam me të vërtetë e kënaqur që sopranoja Ermonela Jaho ka pranuar të jetë pjesë e këtij bordi artistik. Ashtu siç kemi Edi Blloshmin, Besi Vokopolën, Albi Grevën, gazetarja Alma Mile dhe dy përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave”, shprehet Ministrja e Kulturës Elva Margariti. 

“Misioni i parë i bordit është promovimi dhe zhvillimi i teatrit, sjellja e emrave ndërkombëtarë dhe çuarja e artistëve shqiptarë jashtë Shqipërisë”, shton më tej drejtorja e TKOB. 

Kalendari i këtij sezoni në “Opera” do të përmbyllet me Kosovën, në një “Grand Gala” në 30 dhjetor në kuadër të Javëve Kulturore. 

 https://shqiptarja.com/lajm/premierat-festivali-i-dancit-e-mbremja-gala-opera-nis-sezonin-e-ri-pjese-e-bordit-dhe-sopranoja-ermonela-jaho-voshtina-mision-promovimi-i-teatrit