TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Nga 1 korriku, 190 punonjës të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit e Ansamblit Popullor, përfitojnë rritje page nga 47-59%.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh në rrjetet sociale se “sezoni i ri artistik do nisë me shpërblime më të mira për artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”.
Më tej, ministrja ka shtuar se pret një nivel artistik më të lartë, duke qenë se artistët do jenë më të motivuar në shpërblim dhe kushte.
Ministrja Margariti ua dha lajmin e mirë artistëve të TKOBAP, në muajin qershor, ndërsa prezantonte drejtoren e re, Abigeila Voshtina. Ashtu siç kishte premtuar, nuk vonoi shumë dhe rritja e pagave të artistëve u realizua në muajin pasardhës, korrik.
Ndërkohë ministrja së bashku me drejtoren e TKOBAP, Abigeila Voshtina prezantuan sot kalendarin artistik, ambicioz dhe sfidues për të arritur nivele më të larta. Bashkë me Javët Kulturore Ndërkombëtare dhe kalendarin e institucionit, skena e TKOBAP do të ofrojë shfaqje thuajse çdo ditë.