Kalendari artistik i vjeshtës i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përmban shfaqje të ndryshme, ku nuk do të mungojnë dhe artistët e huaj. TKOBAP nis sezonin artistik me një bord të ri artistik, ku një ditë më parë drejtoresha Abigeila Voshtina u shpreh se është një kalendar artistik shumë intensiv. Baleti nga kompania e Angelin Preljocajt, muzikal nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, opera “Kavaleria Rustikana”, baleti “Dua” dhe “Vjosa”, festival ndërkombëtar danci, opera “La serva padrona”, masterclass nga Elda Laro janë disa prej premierave dhe pjesët e programit artistik, ku do të jenë edhe Javët e Kulturës Ndërkombëtare. Drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP Abigeila Voshtina ndër të tjera tha se objektivi ka qenë edhe te orkestra e institucionit. “Kalendari artistik është shumë intensiv. Ka qenë objektivi, që kolona kryesore e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) të jetë orkestra. Pranë saj do të ketë shumë artistë të aftë. Kemi premierë një muzikal nga ansambli, opera “Kavaleria Rustikana” me regji nga Nikolin Gurakuqi, më pas premierë baleti kthehet Taulant Shehu, që është balerin në Mynih. Vjen një vepër e Verdit, kemi më pas festival danci për dy javë ku performon edhe vetë trupa e baletit, programi për festat e nëntorit, premiera “Don Pasquale”, fundviti mbyllet me festën e Krishtlindjes dhe gala operistike”, tha drejtoresha Voshtina, duke shtuar se po punojnë për programin.

Bordi artistik

TKOBAP nis sezonin artistik me një bord të ri, ku në të bëjnë pjesë edhe artistët e njohur si sopranoja Ermonela Jaho, Edi Blloshmi, etj. Drejtoresha e TKOBAP Voshtina tha dje se bordi artistik është zemër e këtij teatri. “Ky teatër nuk fillon e mbaron sot. Ka vazhduar kohë përpara. Një nga synimet ishte që teatri te ketë pasaporta ndërkombëtare”, u shpreh drejtoresha Voshtina, duke u ndalur te secili anëtar bordi artistik. E pranishme në prezantimin e kalendarit artistik ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se në pjesën e skenografisë do të bëhet investim kapital, që vjen pas rikonstruksionit të godinës. Margariti tha më tej se Ministria e Kulturës po punon edhe për blerjen e një pianoforteje të re, por dhe restaurimin e ekzistueses. “Brenda këtij viti do të mundësohet piano e re, restaurimi i pianos ekzistuese. TKOB në shfaqje të ketë sa më pak skenografi digjitale dhe ti rikthehemi skenografisë së vjetër të restauruar”, tha ministrja Margariti ndër të tjera. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit fillon sezonin artistik këtë të enjte me një koncert premierë. Një koncert, që sjell në skenën e TKOB artistë të njohur. Koncerti Reinissance of a “Barbarian of Artists” do të jetë me muzikën e kompozitorëve Shostakovich dhe Rachmaninoff. Me pjesëmarrjen e Orkestrës së TKOB, dirigjent Jacopo Sipari di Pescasseroli, solist në piano Giuseppe Albanese.

https://sot.com.al/kultura/abigeila-voshtina-kalendari-artistik-i-tkob-eshte-shume-intensiv-objekti-i533662