“Monger” është kryevepra e Barak Marshall, ku forca e kësaj pjese qëndron në gjuhën origjinale të lëvizjeve dhe teatraliteti. Kjo vepër do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për dy net më radhë, në 8 dhe 9 qershor. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije se kryevepra e koreografit të njohur izraelit është në kuadër të javës kulturore izraelite. “Një vepër me dialogje me nota të larta humori. Një shfaqje baleti argëtuese dhe njëkohësisht provokuese. Forca e kësaj pjese qëndron në gjuhën origjinale të lëvizjeve dhe teatraliteti”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Vepër me koreografi nga Barak Marshall, as/koreograf Yoav Grinberg dhe Inabar Nemirovsky, kostumet Elva Bella dhe baletmaestër Alisa Gjoni. Në shfaqje interpretojnë Loreta Bala, Ledia Sulaj, Livia Lara, Ambra Troplini, Elda Logo, Sabina Maklekaj, Isida Mollaymeri, Dion Gjinika, Julind Dervishi, Besi Skura, Kristi Dushmani, Andi Vrapi, Anxhelo Musollari. Në baletin “Monger” është historia e disa shërbyesve, të cilët e gjejnë veten të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje abuzive. Vetë zonja nuk shfaqet asnjëherë në skenë, por simbolizohet nga një zile, e cila tingëllon duke vënë në lëvizje shërbyesit sipas dëshirës së saj. Lufta për të mbijetuar ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit. Kjo vepër baleti që do të jetë dy net me radhë për publikun në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen në vijim dhe të shfaqjeve, që po jepen gjatë këtij sezoni artistik për publikun.
Published on 14 06 2022