Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka nisur turin në qytetet turistike të vendit. Koncerti që u zhvillua ditët e fundit në Sarandë u mirëprit nga publiku. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor më herët shkruante se festa zbret në sheshe. “Në 65- vjetorin e TKOBAP vijojmë në qytetet turistike të turneun Ansamblit Kombëtar. Festa zbret në sheshet kryesore të qyteteve bregdetare, duke filluar me Sarandën.
Ansambli Popullor i të gjithë shqiptarëve, të pret të festosh dhe ti në festën e madhe, që jehon në qytetin tënd”, thuhej nga TKOB. Më drejtor artistik Sokol Marsin, turi në qytetet turistike të Ansamblit Popullor vjen pas atij që zhvilloi më parë në Kosovë dhe më tej. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike.
Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. Në jetën e tij artistike, AKVP-ja ka rreth 100 premiera, me repertor të zgjedhur. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe të suksesshëm në jetën artistike të Ansamblit Popullor.