La Sylphide”, balet me dy akte do të jetë për katër mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo vepër e njohur bën bashkë trupën e baletit të TKOB dhe nxënës të Shkollës së Baletit. Me muzikë nga Herman Lovenskiold dhe libreti Adolphe Nourrit, baleti do të jetë në skenë në datat 27, 28, 29 dhe 30 prill, ku TKOB bën të ditur se ka nisur dhe shitja e biletave. Pas rikonstruksionit që u bë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, për herë të parë shfaqja e baletit “La Sylphide” vihet në skenën e re. Pas veprës “Zhizel”, TKOB vjen këtë herë me “La Sylphide” për publikun. Trupa e baletit po punon këto ditë për këtë shfaqje, që do të jetë për katër net në skenë nën drejtimin Alisa Gjonit dhe Dion Gjinikës. “Baleti “La Sylphide”, me muzikë të Herman Severin Lovenskiold dhe me koreografinë e August Bournonville, ka revolucionuar historinë e baletit. Solistja e njohur Ledia Sulaj tregon se me këtë vepër ruan një emocion të veçantë. Më herët me këtë vepër ajo thotë se ka qenë edhe në skenën italiane. “Ajo çka më lidh mua me Silfidën është se e kam kërcyer edhe në Itali dhe në rresht të parë me divën e baletit botëror Carla Fracci, dhe ruaj një emocion të veçantë”, tregon solistja, kur pyetet për këtë shfaqje baleti. “La Sylphide” është një nga baletet e para romantike. Për herë të parë u performua në Paris, në vitin 1832. Koreografia origjinale u krijuar fillimisht nga Philippe Taglioni, por për publikun është më i njohur varianti koreografik i August Bournonville. Ky variant u shfaq për herë të parë në Kopenhagen në vitin 1836 dhe u bë themeli i baleteve tradicional romantike.

https://sot.com.al/kultura/opera-e-pare-shqiptare-mrika-me-artistet-e-rinj-regjisorja-rozi-kostani–i507438?fbclid=IwAR3mVRWKV3tytiniSlDCQ1C3FNxO-QAIhCB7PLKddkb-LZHCJZQMAVYAvbo