Një mbrëmje muzikore me një repertor të larmishëm vjen me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti koral-solistik bën bashkë këtë mbrëmje korin e TKOB, të rinjtë dhe solistë të njohur të skenës operistike. Me dirigjent Dritan Lumshin koncerti zhvillohet në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. TKOB shkruan se ky koncert është konceptuar si një rrugëtim epokash, që nga periudha e klasicizmit e deri në atë të shekullit XX, mbi disa nga veprat më të njohura të kompozitorëve Beethoven, Mendelssohn, Puccini, Haydn, Donizetti, Smetana, Franck, Rossini, Mascagni. Sopranoja e njohur Eva Golemi është pjesë e këtij koncerti që zhvillohet këtë mbrëmje në hollin koncertor të TKOB. Ajo do të interpretojë “Ave Maria” nga Pietro Mascagni përshtatur nga intermezzo e operës “Cavalleria Rusticana”. Sopranoja Golemi vjen nën shoqërinë e formacionit vokal të të rinjve në TKOB, në piano Etrita Ibrahimi dhe dirigjent Drian Lumshi. Me një aktivitet të vlerësuar në skenën operistike brenda dhe jashtë vendit, sopranoja Eva Golemi thotë se “Ave Marian” e Mascagnit e këndon për herë të parë. “Ftesa për të marrë pjesë në këtë koncert mua m’u bë nga dirigjenti i korit Dritan Lumshi. Unë në këtë koncert shoqërohem nga formacioni vokal i të rinjve i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, të cilët janë shumë të talentuar dhe do të këndoj “Ave Maria” nga kompozitori Pietro Mascagni. E kam premierë dhe nuk e kam kënduar deri tani”, tregon sopranoja Eva Golemi, që falë talentit të saj në skenën operistike sot është një nga emrat që ka shijuar suksesin me role në kryeveprat botërore. Me një aktivitet artistik shumë të pasur Eva Golemi është një nga zërat më brilante të muzikës lirike, e cila ka disa vite që është pjesë e pandarë e roleve kryesore në vepra të ndryshme operistike dhe këtë mbrëmje vjen me “Ave Maria” për publikun.
Talenti i të rinjve
Koncerti koral-solistik “Crecendo musicale”, sipas TKOB është me një repertor të larmishëm, që nga literatura korale sakra, e deri tek ajo e literaturës operistike botërore. Koncerti zhvillohet në orën 19:00. Me dirigjent Dritan Lumshin, në koncert marrin pjesë trupa e korit të TKOB, me pjesëmarrjen e veçantë të solistëve lirikë Eva Golemi, Shpresa Beka, Xhieldo Hyseni dhe pianistëve Etrita Ibrahimi, Thanas Paskali. Solistë Rovena Xhelili, Gerald Murrja, Artur Vera, Laura Hoxha, Neron Kacerja. Sopranoja Eva Golemi vlerëson shumë pjesëmarrjen e të rinjve, që sipas saj janë të talentuar. “Repertori muzikor i koncertit koral-solistik është shumë i pasur. Por për mua këta të rinj këndojnë vërtetë shumë bukur. Është miskim me korin e madh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe korit të të rinjve, që janë të talentuar”, tregon sopranoja Eva Golemi. Koncerti që zhvillohet këtë mbrëmje vjen pas atij të disa netëve më parë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në atë koncert ishin baritoni Ylber Gjini, soprano Simona Karafili, baritoni Xhieldo Hyseni dhe pianistja Ingrid Pulizo. Në këtë koncert erdhën ariet më të bukura të shkruara mjeshtërisht nga Bellini, Franck, Massenet, Donizetti, Verdi, Rossini, Curtis dhe Mozzart në një program të vetëm.