Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të realizojë turneun historik në qytetet e Kosovës, por do të jetë dhe në Shkup. Ky turne organizohet në kuadër të rijetëzimit, kujtesës dhe promovimit të trashëgimisë tonë kulturore, brez pas brezi. Për përcjelljen e vlerave më të mëdha artistike kombëtare që ruhen me fanatizëm nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Aktiviteti do të zhvillohet në ciklin e një turneu disa ditor në disa qytete të Kosovës si Prizren, Gjakovë, Gjilan, Lugina e Preshevës dhe Shkup në Maqedonisë e Veriut. Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës, duke na rikthyer kështu edhe njëherë jehonën dhe suksesin e Ansamblit Kombëtar në mbarë trevat shqiptare. Drejtori artistik i Ansamblit Popullor Sokol Marsi thotë se e kanë quajtur turi historik i ansamblit. “Tur historik, sepse jo se ansambli nuk ka shkuar në Kosovë herë të tjera, por pas 30 vitesh bëhet një organizim i tillë. Pra shkon në një tur artistik që fillon nga Prizreni qytetit i Lidhjes së Prizrenit, vazhdon në qytete të tjera dhe për herë të parë në historikun e tij ansambli shkon në Luginën e Preshevës”, thotë ai. Drejtori artistik Sokol Marsi thotë më tej se programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare, si edhe në folklorin e pasur kombëtar. “Programi muzikor është ndërtuar në bazën e gjithëpërfshirjes të të gjitha trevave tona,duke përfshirë nga vallja Çame deri tek vallja e Rugovës. Kryesisht do të performojë orkestra, grupi koral, solistët, artistët e rinj, por dhe pjesë instrumentale. Në koncert është futur kryesisht repertor i ri muzikor, duke përfshirë edhe krijimet më të mira dhe interpretimet më të mira të Kosovës si kënga “Ma fal atë buzëqeshje”, “Zambaku i Prizrenit”, etj”, thotë drejtori artistik Sokol Marsi.
Pjesëmarrja e të rinjve
Ky turne është në zbatim të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë 2022. Dhe më datë 25 prill ansambli është në Prizren, në 26 në Gjakovë, në 27 Gjilan, në 28 në Luginën e Preshevës dhe më datë 29 të këtij muaji në Shkup. Me rëndësi në këtë tur që do të zhvillojë Ansambli Popullor për drejtorin artistik Sokol Marsi është dhe pjesëmarrja e artistëve të rinj. “E veçanta e këtij turi është sepse trupës artistike i bashkohet dhe një pjesë e artistëve të rinj dhe e kanë për herë të parë që presin skenat e Kosovës dhe janë për herë të parë në një organizim të tillë”, thotë ai. Ky tur realizohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky Ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori.