Ministria e Kulturës më 29 mars shpalli konkursin për pozicionin Drejtor i Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Gjashtë vite në krye të TKOBAP Zana Çela bën me dije se do të rikandidojë sërish. “Sigurisht që do të rikandidoj”, u shpreh Çela një ditë më parë, duke theksuar edhe eksperiencën që ka në këtë fushë. Në kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët, MK shkruan që duhet të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike ose menaxhim të artit kulturor. Por drejtoresha në detyrë Zana Çela tha se qeveria shqiptare e ka formatuar qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë titullarët në administratën e shtetit. “Këto kritere nuk bien ndesh me CV-në time. Qeveria shqiptare formaton shumë qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë drejtorët e përgjithshëm të administratës së shtetit shqiptar dhe si kriter kryesor është masteri shkencor, pa e identifikuar se në cilin degë do të jetë masteri. Dhe sigurisht që unë e kam masterin shkencor!”, tha Çela. Zana Çela erdhi në detyrë menjëherë pasi artisti Ilir Kerni dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në konkurs më vonë Zana Çela siguroi mandatin e dytë dhe ndonëse shumë pranë mbarimit të mandatit, për shkak të tërmetit, rikonstruksionit, por edhe pandemisë, Çela u sigurua nga ministrja Elva Margariti se do të ishte në krye të institucionit të rikonstruktuar për shkak të punës së mirë të kryer edhe gjatë periudhës 4 vjeçare. Por ministria shpalli të hapur një konkurs për postin e drejtorit të ri dhe kushti i parë ishte një master shkencor në ekonomi e financë. E mendohet se shkak për këtë konkurs të menjëhershëm është fakti se drejtoresha aktuale Çela, nuk po merr në dorëzim investimin miliona eurosh që është bërë në rikonstruksionin e TKOBAP. Por dje Çela tha se projekti ka nisur vite më parë. “Projekti ka nisur shumë kohë përpara të themi 3-4 vite më përpara se unë të filloja mandatin. Ka qenë gjithmonë MK ajo që ka bërë ekspertizën e nevojave dhe të projektit”, tha Çela. Mendohet sipas disa e-maileve të dërguara në ministri se projekti ka pasur mangësi dhe problematika çka ka bërë që Çela të mos e firmosë marrjen në dorëzim të investimit. Megjithatë, përtej debateve të lindura përmes shkresave, Çela konfirmoi se do të rikandidojë për këtë post.
https://sot.com.al/kultura/gjashte-vite-ne-krye-te-tkob-zana-ela-konfirmon-rikandidimin-i506190