Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela, ka pranuar sot se ende nuk ka marrë në dorëzim godinën pas rikonstruksionit. Pohimi me terma shumë teknikë, erdhi pas këmbënguljes së gazetarëve, ndërsa ka aludime se çështja e rikonstruksionit është e lidhur me hapjen e konkursin që mund të largojë atë nga detyra.

“Projekti i rikonstruksionit ka qenë projekt i ministrisë së Kulturës, ne jemi institucion përfitues. Teatri i Operës është në procesin e fundit, në etapën e fundit të këtij procesi, që do të thotë marrja në dorëzim, kalim kapital. Këtu është teatri. Është një proces monitorimi, sa i përket investimit i cili të merret në kalim kapital në mënyrën e duhur sipas e referencave ligjore.”, tha Zana Çela.

E pyetur për disa shkresa që qarkullojnë mbi komunikimin e Operas me ministrinë sa i takon pajisjeve të skenës, ndriçimit, etj,. që në krye të letrave cilësohen si problematika Çela nuk pohoi përplasje me ministrinë.

“Teatri i Operas nuk është pjesë e projektit, nuk është pjesë as e porosive, as e kritereve teknike. Ne jemi në një proces monitorimi të funksionalitetit të aparaturave dhe ato shkresa që ju thoni se i keni parë me siguri shprehin ndarjet e informacionit që ne i kemi bërë njëri-tjetrit, për funksionalitetin e disa aparaturave që është një proces krejt normal”, shtoi ajo.

Çela iu përgjigj interesit të medias në një konferencë të thirrur për turin e ansamblit të Këngëve dhe Valleve, në Kosovë e Serbi ku jetojnë shqiptarë. Një ditë më parë, ajo tha për News 24 se do të kandidojë për detyrën sërish, ndonëse kriteret e konkursit të hapur nga ministria, duket se e përjashtojnë.

https://www.balkanweb.com/zana-cela-e-pranon-nuk-e-kam-marre-ne-dorezim-operan-pas-rikonstruksionit-arsyet/