Pas gjashtë vitesh në krye të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela vjen në një intervistë ku bën bilancin dhe përballet me një konkurs të hapur nga ministria që duket se e përjashton.

E pyetur nga News 24 për raportet me ministren që nuk i mirëpriste pyetjet e gazetarëve për tejkalimin e mandatit, Zana Çela thotë se raportet janë korrekte ndërsa kriterin e një masteri shkencor në ekonomi që duket se e përjashton, Drejtoresha aktuale, e sheh një lapsus. Megjithatë Çela gjen shkelje në kriteret e konkursit.

“Unë nuk kam master në ekonomi, por do të kandidoj për Operan sigurisht sepse nuk i lë punët në gjysmë. Unë ndjek ligjin dhe ky kriter bie ndesh me vendimet e qeverisë. Është një kriter që kufizon konkursin për drejtorin e Operas dhe diskriminon” thotë Çela që megjithatë nuk mendon se fituesi është paracaktuar.

E pyetur nëse ka një mallkim për drejtuesit e Operas, ndërsa paraardhësi i saj Ilir Kerni iku pa mbaruar mandatin ndërsa vetë ajo ka përpara një konkurs që duket se e përjashton Çela thotë se Opera është bekim. Gjithaq, ajo nuk gjen arsye që lidhin këtë situatë me rikonstruksionin e godinës.

“Në çdo 100 lekë që janë harxhuar për shfaqjet gjatë drejtimit tim, sponsorat dhanë 56 lekë. Madje unë kam ngritur fonde edhe për mobilimin e zyrave si pjesë e rikonstruksionit”, thotë ajo.

E pyetur nëse çështja e Operas po shkon drejt një partneriteti publik privat si Butrinti, Zana Çela thotë se nuk ka dijeni, nuk ka diskutuar dhe se nuk mund të funksionojë.

“Duhet folur me artistët për këtë çështje si aktorët kryesorë. Megjithatë unë kam propozuar prej dy vitesh në dokumente, mënyra për rritjen e të ardhurave. Ende nuk kam marrë përgjigje për dokumentin e propozuar” thotë Çela.

Duke pranuar rikandidimin, Drejtoresha Zana Çela thotë se duhet hequr kriteri i masterit shkencor në ekonomi dhe duhet zgjatur afati i aplikimit sepse sipas saj është shkelur edhe afati për konkurs që duhet të jetë 30 ditë.

https://www.balkanweb.com/ministria-konkurs-per-drejtimin-e-operas-zana-cela-ka-kritere-kufizuese-por-do-aplikoj-raporti-me-ministrine-dhe-shkeljet/