Ariet më të bukura të shkruara mjeshtërisht nga autorë të njohur botërorë erdhën me interpretimin e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. TKOB shkruan se krijime muzikore nga Bellini, Franck, Massenet, Donizetti, Verdi, Rossini, Curtis dhe Mozzart në një program të vetëm për publikun, në koncertin që u zhvillua në hollin koncertor të TKOB. “U prit me shumë duartrokitje dhe ovacione koncerti i solistëve tanë Ylber Gjini-bariton , Simona Karafili-soprano, Xhieldo Hyseni-bass nën shoqërimin e pianistes Ingrid Pulizo. Me krijimet më të bukura, arie dhe duetet të repertorit botëror të interpretuara në një program të vetëm. Të tjera koncerte solistike të suksesshme TKOB do të prezantojë në javët në vazhdim”, shkruan institucioni për këtë koncert, që erdhi në vijim të aktivitetit artistik që zhvillohet për publikun. Më datë 14 të këtij muaji Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije se do të jetë një tjetër koncert për publikun. TKOB shprehet se bëhet fjalë për një mbrëmje me një repertor të larmishëm, që nga literatura korale sakra, e deri tek ajo e literaturës operistike botërore. Ky koncert është konceptuar si një rrugëtim epokash, që nga periudha e klasicizmit e deri në atë të shekullit të XX, mbi disa nga veprat më të njohura të kompozitorëve Beethoven, Mendelssohn, Puccini, Haydn, Donizetti, Smetana, Franck, Rossini, Mascagni. Historia e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik. Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën, ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operës dhe baletit. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TKOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin.
https://sot.com.al/kultura/tkob-nje-koncert-me-krijimet-me-te-bukura-te-repertorit-boteror-i505931