Festivali ndërkombëtar i vokalit operistik “Marie Kraja” këtë vit zhvillon edicionin e 18, me artistë nga katër kontinentet. Këtë vit do të zhvillohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më 29 dhe 30 mars. Netët do të jenë të ndërtuara në formën e spektaklit, regjisori skenik i të cilit Anatolli Solovianenko, është regjisor dhe drejtor i përgjithshëm i skenës në Teatrit Nacional të Operas së Kievit – Ukrainë. I ikur nga lufta ai tani vjen në Tiranë, duke pasur mundësinë të bashkëpunojë për këtë festival. Dirigjenti i orkestrës vjen nga Anglia dhe është i mirënjohuri Martin Andre dhe regjia televizive i është besuar Redi Trenit. Ndërsa prezantuese e festivalit është një emër i lidhur ngushtësisht me “Marie Krajën”, sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani. Kompeticion i këngëtarëve operistikë sipas organizatorëve një spektakël i jashtëzakonshëm me arie dhe këngë nga më të njohurat e të përzgjedhurat e repertorit botëror, balet dhe kostume mahnitëse. Drejtoresha e TKOBAP Zana Çela themeluese e këtij festivali që është dhe në juri, tha se qëllimi janë talentet e reja. “Javën e ardhshme Tirana do të flasë me gjuhën e muzikës klasike, me gjuhën e operës. Qëllimi është të zbulojmë talentet e reja”, tha mes të tjerave Çela. Nga Ukraina në Tiranë, regjisori skenik Anatolli Solovianenko thotë se performanca e tij e fundit ishte në 23 shkurt në Kiev. “Shkova në shtëpi po u zgjova shumë herët, pasi bombardimet kishin nisur herët në kryeqytet. U largova po atë ditë dhe nuk kaloi shumë gjatë për të telefonuar Zana Çelë, dhe për ta pyetur nëse bisedat tona për një mundësi bashkëpunimi mund të merrnin formë në këtë periudhë. Ajo më tha po, dhe unë u nisa. Ja tek jam për festivalin “Marie Kraja””, tha regjisori nga Ukraina.

Juri ndërkombëtare

Pesëmbëdhjetë konkurrentë, nga katër kontinente do të garojnë për të marrë çmimin që mban emrin e një prej themelueseve së operës shqiptare “Marie Kraja”. Ata do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, e përbërë prej drejtues të operave të mëdha evropiane, duke i dhënë pjesëmarrësve mundësinë që përveç garës dhe çmimit, të bëjnë hapa të vlefshëm në karrierën e tyre të ardhshme. Por përveç misionit të tij kryesor, garës dhe promovimit të talenteve të reja, publiku i teatrit do të mund të shijojë dy mbrëmje me muzikë të përzgjedhur nga repertori botëror i kompozitorëve  Puccini, Gounod, Bellini, Mozart, Bizet,Verdi, Rossini, etj por edhe këngë lirike mjaft të njohura. Në të dyja netët e festivalit, nuk do të mungojë edhe trupa e baletit, ku këtë vit për herë të parë ngjiten në skenë shumë kërcimtarë të rinj. Po për promovimin e të rinjve do të shërbejë dhe një sfilatë e veçantë, e organizuar nga artistja Najada Hamza, e cila ka përzgjedhur veshje nga veprat më të njohura të skenës së operës dhe baletit dhe që janë realizuar nga kostumografët e rinj të sapodiplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura si fashion designer. Festivali organizohet nga shoqata Kulturë – Media – Art me mbështetjen e Bashkisë Tiranë. Konkurrentët e edicionit të 18-të janë nga Ukraina, Shqipëria, Koreja e Jugut, Slloveni, Afrika Jugore, Kina, Zvicra, Serbia, Gjermania, etj.

https://sot.com.al/kultura/festivali-marie-kraja-me15-konkurrente-ne-edicionin-e-18-muzike-e-perzgj-i502305