Shoqata Kulurë – Media Art me mbështetjen e vecantë të Bashkisë Tiranë në vitin e Kryeqytetit Europian të Rinisë organizojnë edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, në dt 29 dhe 30 mars, ora 19;00 në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Konkurs i këngëtarëve operistikë; një koncert i jashtëzakonshëm me arie dhe këngë nga më të njohurat e të përzgjedhurat e repertorit botëror; balet dhe kostume mahnitëse: Edicioni i tetëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” do të zhvillohet në Tiranë në datat 29-30 Mars.
Pesëmbëdhjetë konkurrentë, nga katër kontinente do të garojnë për të marrë cmimin që mban emrin e themelueses së operës shqiptare “Marie Kraja”. Ata do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, e përbërë prej drejtues të operave të mëdha evropiane, duke i dhënë pjesëmarrësve mundësinë që përvec garës dhe çmimit, të bëjnë hapa të vlefshëm në karrierën e tyre të ardhshme. Në sajë të pjesëmarrjes së emrave të mëdhenj opertistikë botëror në juri, festivali “Marie Kraja” është bërë i kërkuar për artistët e rinj nga e gjithë bota.
Juria ka bërë përzgjedhjen paraprake dhe në netët finale janë do konkurrojnë 15 artistë. Netët do të jenë të ndërtuara në formën e spektaklit, regjisori i të cilit Anatolli Solovianenko, është regjisor dhe Drejtor i Përgjithshëm i skenës në Teatrit Nacional të Operas së Kievit – Ukrainë. I ikur nga lufta ai tani vjen në Tiranë, duke pasur mundësinë të bashkëpunojë për këtë festival. Dirigjenti i orkestrës vjen nga Anglia dhe është i mirënjohuri Martin Andre. Festivali do të transmetohet në Radio Televizionin Publik Shqiptar RTSH dhe regjia televizive i është besuar Redi Trenit. Ndërsa prezantuese e festivalit është një emër i lidhur ngushtësisht me “Marie Krajën”: sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani. Ajo ka triumfuar në këtë skenë në vitin 2015 dhe prej aty nisi një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare. Tashmë Kamani rikthehet në këtë skenë si prezantuese, por dhe për të kënduar, për të treguar historinë e saj të suksesit, por dhe për të qenë ndoshta një ogur i mirë për pjesëmarrësit në garë.
Në të dyja netët e festivalit, nuk do të mungojë edhe trupa e baletit, ku këtë vit për herë të parë ngjiten në skenë shumë kërcimtarë të rinj. Po për promovimin e të rinjve do të shërbejë dhe një sfilatë e veçantë, e organizuar nga artistja Najada Hamza, e cila ka përzgjedhur veshje nga veprat më të njohura të skenës së operës dhe baletit dhe që janë realizuar nga kostumografët e rinj të sapodiplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura si fashion designer. Në këtë mënyrë edhe studentëve që sapo kanë mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera u jepet një mundësi për t’u shfaqur, promovuar në fushën e artit dhe tregun e punës.
Por përveç misionit të tij kryesor, garës dhe promovimit të talenteve të reja, festivali “Marie Kraja” është dhe dy netë koncertore për t’u shijuar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Publiku i këtij teatri do të mund të shijojë dy mbrëmje me muzikë të përzgjedhur nga repertori botëror Puccini, Gounod, Bellini, Mozart, Bizet, Verdi, Rossini, Donizetti, por edhe këngë lirike mjaft të njohura. Dy netë që ia vlen të ndiqen dhe një festival ku ka veç fitues. Dikush fiton një çmim, dikush fiton një eksperiencë të parë, dikush një njohje dhe një mundësi tjetër, dikush vlerëson një kartëvizite nga juria, që mund të shndërrohet në kartën e hyrjes në karrierë. Të gjithë marrin një përvojë të vlefshme, pasi për artistët shkëmbimi i shumë individualiteteve, stileve e shkollave është mënyra më e mirë që i mban në standartin e kërkuar dhe i bën më kompetitivë. Ndërsa kulturës së një vendi, festivalet ndërkombëtare i japin një dimension të ri, ndaj këtë vit “Marie Kraja” është përfshirë në axhendën artistike të “Tirana Youth Capital”
Soprano – Yulia Merkudinova / Ukrainë
Soprano – Hyerim Kim / Korea e Jugut
Bariton – Samueol Park/ Korea e Jugut
Mezzosoprano – Sara Briški Cirman / Slloveni
Soprano – Moloko Letsoalo / Afrika Jugore
Tenor – Xu Chen / Kina
Mezzosoprano – Emma Jüngling / Zvicra
Kontratenor – Aleksandar Timotić / Serbi
Baritone – Jacobo Ochoa / Kolumbi
Soprano – Carolina López Moreno/ Gjermani
Soprano – Vassia Alati / Greqi
Bariton – Artur Vera / Shqipëri
Soprano – Barbara Derathé / Francë
Mezzosoprano – Valeria Girardello / Itali
Soprano – Zsuzsanna Kapi/ Hungari
Soprano – Melis Sağlam / Turqi
JURIA E FESTIVALIT
Znj. Anna Maria Meo – Drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Regio di Parma
dhe Presidente e Opera Europa.
- Nicholas Payne – Drejtor i Përgjithshëm i Opera Europa.
Znj. Zana Çela – Themeluese e Festivalit “Marie Kraja” / Drejtore e Përgjithshme e TKOBAP-së.
- Ivan van Kalmthout – Drejtor i Përgjithshëm i “Dutch International Vocal Competition”.
- Szilveszter Ókovács – Drejtor i Përgjithshëm i Operas Shtetërore të Hungarisë.
- Plamen Kartaloff – Drejtor i Përgjithshëm I Teatrit të Operas dhe Baletit në Sofje.
- Stefan Vogel – Drejtor i Lartë Operacional i teatrit në Lucerner – Zvicër.
- Martin Andre – Dirigjent londinez.
Znj. Danuša Luknišová – Drejtuse e “Dankart” Artist Agency në Itali.
Znj. Vikena Kamenica – Mezzosoprano / Soliste e parë e TKOB.