Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku tha se ndihet e lumtur që kanë arritur atë që ajo e quajti si “publiku i së ardhmes”. Çela tha se publiku shqiptar është bërë një konsumues i rregullt i shfaqjeve, gjë që është reflektuar së fundmi me suksesin e shfaqjes më të fundit “Zhizel”.

“Tashmë ne kemi një publik që vjen rregullisht në teatër dhe vjen me dëshirën e madhe për të shijuar shfaqjet operistike. Është një lloj tradite që ka hyrë në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Tani është kthyer në një domosdoshmëri për familjen. Audienca është mix, grupmoshat variojnë nga 6 vjeç, 18 dhe deri në moshën më të thyer.

Është një publik mix dhe kjo na bën optimist që teatri ka siguruar spektatorin e së ardhmes. Kjo vjen për shumë arsye. Në radhë të parë është niveli artistik i shfaqjeve.  Gjithashtu fakti që kemi shtuar kastet artistike duke stimuluar artistët e rinj ka bërë që publiku të afrohet më shumë me teatrin e Operas.“, tha Çela. Më tej tha se kanë propozuar në ministrisë e Kulturës një formatim të shitjes së biletave.

“Kemi mbi dy vjet që kemi propozuar në ministri dy projekte që kanë të bëjnë me një formatim ndryshe të shitjes së biletave. Që të ketë bileta me prenotim, kontribuese dhe disa lloje formatesh të tjera që e aksesojnë më shumë shitjen e shfaqjeve të teatrit të Operas.  Biletat kontribuese ka të bëjë me atë që shumë dashamirës që duan të mbështesin jo nëpërmjet sponsorizimit por përmes një bilete.“, tha ajo.

Më tej ajo u ndal dhe te edicioni i 18-të i Festivalit Operistik Marie Kraja që do të mbahet nga data 28-30 Mars. Zana tha se kanë marrë pjesë 160 konkurrentë nga e gjithë bota, por vetëm 16 janë përzgjedhur nga juria ndërkombëtare.

https://abcnews.al/zana-cela-tkob-ja-ka-siguruar-publikun-e-se-ardhmes-projekti-qe-i-kemi-propozuar-ministrise-se-kultures/