“Zhizel” është historia e dashurisë, e cila ka prekur zemrat e publikut në mbarë botën që nga premiera e parë. Baleti “Zhizel” vjen për publikun në katër mbrëmje me radhë, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepër me dy akte me muzikë nga Adolphe Adam, libreti i “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Libreti është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Në skenë për këtë vepër do të jenë trupa e baletit dhe solistët të shoqëruar nga orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Solistja e njohur Ledia Sulaj vjen si Zhizel në skenë. Ajo thotë se është me një rol të veçantë. “Rëndësia e baletit “Zhizel” është shumë e madhe, sepse është vepër e repertorit botëror romantik klasik. Është një rol shumë i veçantë i ndjerë dhe në botën e përtejme. Ka një larmishmëri në teknikë dhe në ndjesi”, thotë solistja Ledia Sulaj, që shton se në këtë vepër lëvizjet janë romantike dhe me shumë elegancë. Vepra e baletit do të jetë për publikun në skenën e rregulluar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) për herë të parë këto ditë të muajt mars. Solistja Ledia Sulaj shprehet se dhe kjo ka rëndësinë e saj në veprën e baletit. ““Zhizel” të vendoset në skenën e rikonstruktuar është një magji më vete”, shprehet solistja Ledia Sulaj. Baleti është vënë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor të vitit 1841. Por “Zhizel” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi i njohur Agron Aliaj, në dhjetor të vitit 1988. Ndër vite është vënë sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por rikthehet në skenën e re për katër net.
Baleti në skenë
Baleti do të jetë në skenë në datat 13, 14, 15 dhe 16 mars, ku Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se shitja e biletave po vijon me ritëm të shpejtë. “Nxitoni të blini biletën tuaj në sportelin e TKOB”, thuhet nga institucioni. TKOB shprehet se “Zhizel” është një nga baletet më të bukura të historisë, i cili u rikthye për publikun katër vjet më parë, si një homazh në kujtim të mjeshtrit të madh Agron Aliaj, në 30 -vjetorin e premierës. “Edhe pse një produksion krejtësisht i ri në skenografi, kostume apo strukturë skenike, kjo vepër u realizua mbi atë ide koreografike, skenash dhe kostumesh që koreografi krijoi në platformën e tij krijuese”, shkruan TKOB. Mbajtja e maskës është e detyrueshme gjatë gjithë qëndrimit në TKOB. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij.