Opera “Carmen” shënon sonte mbrëmjen e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në skenën e re të TKOB vepra u shfaq në datat 20 dhe 22 për të vijuar dhe këtë mbrëmje. Produksioni që ngjit në skenë 200 artistë, roli i Carmen interpretohet nga Vikena Kamenica. Vepra operistike e kompozitorit Georges Bizet është me një kast solistësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë. Dirigjent Pietro Mianiti, regjisor Gëzim Myshketa. Koreograf Gheorghe Iancu, realizon rivënien Ada Gurra, dirigjent kori Dritan Lumshi, kostumograf Ardi Asllani, skenograf Renold Sula, koncert maestër Ingrid Pulizo, Herta Cane, Thanas Paskali. Më herët TKOB bënte me dije se të gjitha biletat për operën “Carmen” janë shitur. “Faleminderit që për herë të dytë kjo shfaqje është sold out!”, shprehej teatri. Në role Carmen -Vikena Kamenica; Don Jose Milen Bozhkov, Armaldo Kllogjeri, Micaella- Renisa Laçka dhe Dorina Selimaj; Escamillo-Armando Likaj, Paolo Ingrasciotta; Fransquita- Rovena Xhelili; Mercedes -Shpresa Beka, Remendado- Denis Skura, Dancairo- Erlind Zeraliu, Zuniga- Xhieldo Hyseni dhe Bledar Domi, Morales -Genc Vozga. “Carmen” është opera tragji-komike në katër akte, e cila për herë të parë u performua më 3 mars të vitit 1875 në Paris, ndërsa në operën gjermane në Berlin premiera e kësaj shfaqje ishte më 11 maj 1979. Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don Jose, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin. Muzika e operës është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle. Carmen” nga Georges Bizet është bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy.