“Festë të madhe ka sot Kosova”, një koncert festivi i ansamblit “Shota” Kosovë dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve nga Shqipëria kushtuar 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Artistët e dy ansambleve u bënë bashkë në koncertin, që u zhvillua në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, për publikun një koncert me këngë e valle nga të gjitha trevat shqiptare. Udhëheqës artistikë në koncert Ylber Asllanaj e Sokol Marsi, udhëheqës orkestre Fitim Bytyçi dhe Vladimir Hasimi. Sokol Marsi, që është dhe drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve pak para koncertit u shpreh se ishte një program i zgjedhur për këtë ditë të shënuar. “Një koncert i përbashkët me dy ansamblet. Në program do të luhen së bashku vallja “Festë e Madhe” dhe “Vallja Labe”. Por në program janë dhe dy këngë korale të përbashkëta. Bashkëpunimet me ansamblin “Shota” në Kosovë do të vazhdojnë edhe në evente të tjera gjatë vitit”, u shpreh Sokol Marsi. Ansambli “Shota” ka afirmuar vlerat kulturore kombëtare, të tilla si origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet, me të cilat është paraqitur në vende të ndryshme të botës. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore në Shqipëri është krijuar në vitin 1957, si ansambël profesionist. Përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i ansamblit është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe të suksesshëm në jetën e Ansamblit Popullor.

https://sot.com.al/kultura/koncerti-per-kosoven-sokol-marsi-bashkepunimet-me-ansamblin-shota-edhe-n-i494836