Magjistari i valles shqiptare”- Panajot Kanaçi dhe “Kompozitori që ndezi flakën në dëborë” – Tish Daija- “Nderi i Kombit” janë dy koncertet, me të cilat do të nisë aktiviteti artistik i këtij viti i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Dy koncerte, ku do të jenë në skenë artistët këtë mbrëmje të së martës 8 shkurt dhe nesër më datë 9. Në fjalën e saj para mediave gjatë konferencë së shtypit që u zhvillua ditën e hënë, drejtoresha e TKOBAP Zana Çela tha mes të tjerave se përmasat e mëdha që ka lënë krijimtaria e këtyre dy mjeshtrave do të përcaktojë dhe përmasat e këtyre dy koncerteve. “Teatri i Operës dhe Baletit vjen me këto koncerte me një koncept tjetër. Me një koncept ndryshe për të njohur jo vetëm krijimtarinë e këtyre dy artistëve të mëdhenj. Qëllimi tjetër i joni është jo vetëm të prezantojmë traditën dhe kontributet e brezave të rinj, por dhe t’ia kalojmë artistëve të rinj”, tha drejtoresha Çela ndër të tjera. Koreografi Genc Kastrati tha ngjitja në skenë e këtyre emrave mbart dhe një përgjegjësi, ruajtjen e formave origjinale. “Përgjegjësia më e madhe e jona është që mos i transformojmë motivet origjinalet”, tha ai. Një nga talentet e zbuluar nga mjeshtri Panajot Kanaçi është dhe valltarja e njohur Liljana Cingu. Ajo tha se Panajot Kanaçi është një legjendë. “Kur ai “montonte” vallen në sallë ne na lotonin sytë! Na lotonin, sepse ai e bënte aq bukur dhe unë i thosha: profesor unë nuk mund ta bëj aq bukur sa ju. Dhe ai ma kthente “Jo, moj çupë, se ty të kërcen dhe fija e flokut. I jam mirënjohëse”, u shpreh Cingu. “Kompozitori që ndezi flakët në borë” Tish Daija përkujtohet jo vetëm si kompozitor i operave dhe baleteve, por edhe për simfonitë, këngët popullore e të lehta si dhe veprat instrumentale e vokale. Jeta, veprimtaria dhe kontributi i artistëve Panajot Kanaçi dhe Tish Daija do të bëjë së bashku mbi 150 artistë në skenë.
Published on 08 02 2022