Baleti “Arrëthyesi” këto ditë dhjetori është në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. “Arrëthyesi” u shfaq në skenë mbrëmë për të vijuar dhe në datat 29 dhe 30 dhjetor. Disa orë para shfaqjes TKOB bënte me dije se biletat për tre netët ishin shitur. “Të dashur miq, ju bëjmë me dije se biletat për datat 28, 29 dhe 30 dhjetor për shfaqjen “Arrëthyesi” janë shitur të gjitha”, shkruan teatri. “Arrëthyesi” është një shfaqe që ka magjepsur breza të tërë, falë virtuozitetit dhe skenave magjike të rrethuara nga flokët e dëborës dhe lulet që kërcejnë. Një version i freskët, i gëzueshëm dhe poetik i një baleti klasik të përjetshëm. Një balet botëror repertori, ku dirigjente baleti në këtë shfaqje në TKOB është Alisa Gjoni. Merr pjesë orkestra dhe trupa e baletit e TKOB, si dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Kombëtare Koreografike. Shkruar nga Çajkovski, baleti me dy akte është bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush” nga E.T.A. Hoffmann. Libreti sipas Marius Petipa. Historia rrjedh nga tregimi “Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve” i Ernst Theodor Amadeus Hoffmann. Në këtë shfaqje sipas TKOB mbajtja e maskës është detyrueshme. Historia te “Arrëthyesi”, flet për një të re me emrin Klara, e cila zvogëlohet sa një miush dhe Arrëthyesi i saj i dashur shkon në luftë së bashku me lodrat e tjera kundër miut të lig. Më vonë ai transformohet në një princ të bukur dhe ata shkojnë së bashku në mbretërinë e zanave floksheqer (Confiturembourg) për të mbretëruar përgjithnjë. “Arrëthyesi” që në shumë skena është realizuar si shfaqje baleti, nuk ka munguar dhe në kinema apo teatër. Baleti “Arrëthyesi” është një vepër e veçantë për kompozitorin e famshëm rus Çajkovski, për të cilin ajo u bë njëfarë pike reflektimi, përsiatjesh në lidhje me kuptimin e jetës. Çajkovski kompozoi muzikën e baletit mes viteve 1891 e 1892.
https://sot.com.al/kultura/baleti-arrethyesi-nga-ajkovski-tre-mbremje-ne-skenen-e-tkob-i484257