Baleti“Arrëthyesi”, një histori magjike në prag të festave të fundvitit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. TKOB shprehet se është një shfaqje për të gjithë familjen në prag festash, sepse “Arrëthyesi” është baleti i festave, i ëndrrës, i magjisë dhe i dashurisë. “Baleti “Arrëthyesi” është një nga krijimet më të bukura të repertorit klasik botëror. Një përrallë me ushtarë lodër, princër e princesha, kukulla, flokë bore, por edhe me magjistarë të këqij”, thuhet nga TKOB. Baleti me muzikë nga Çajkovski do të jetë në skenë në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor ora 18:30. Prima balerina Ledia Sulaj ngjitet në skenë me personazhin e Klarës. Por ajo e quan një vepër baleti, ku e gjen veten i madh e i vogël këtë prag festash. ““Arrëthyesi” përfaqëson rolin e shndërrimit tim si prima balerinë. Çdo Vit të Ri kam kërcyer nga një pjesë të këtij baleti. Është magjiplotë dhe vjen si një ëndërr e bukur, ku e gjen veten i madh e i vogël”, thotë solistja Ledia Sulaj, një emër i njohur i skenës shqiptare me interpretimet e saj. Një balet botëror repertori, ku dirigjente baleti në këtë shfaqje në TKOB është Alisa Gjoni. Marrin pjesë orkestra dhe trupa e baletit e TKOB, si dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Kombëtare Koreografike. Shkruar nga Çajkovski, baleti me dy akte është bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush” nga E.T.A. Hoffmann. Libreti sipas Marius Petipa. Historia rrjedh nga tregimi “Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve” i Ernst Theodor Amadeus Hoffmann. Në këtë shfaqje sipas TKOB mbajtja e maskës është detyrueshme.
Published on 22 12 2021