“La Boheme” opera e kompozitorit Giacomo Puccini sonte shënon mbrëmjen e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra u shfaq për publikun në datat 14,15 dhe 16 dhjetor dhe sonte është nata e fundit. TKOB të enjten shprehej se biletat për shfaqjen ishin shitur. “Të dashur miq, biletat për operën “La Boheme” për dy netët e fundit të shfaqjes janë shitur”, shprehej TKOB. Më herët institucioni shprehej se ishin katër shfaqje në skenën e re, e cila mirëpriste katër kaste të ndryshme artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Në katër shfaqjet e operës “La Boheme”, orkestra, kori, trupa e baletit, artistët e Cirkut Kombëtar dhe kori i fëmijëve. Dirigjent Jacopo Sipari, regjisore Ada Gurra, skenograf Renold Sula dhe kostumograf Ardi Asllani. Opera “La Boheme” nga Puçini është me libret Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa. Ngjarjet në vepër zhvillohen në fundin e shek. XIX në Paris. “La Boheme” është një histori që pasqyron rininë dhe përballjen me dhimbjen; kalimi nga adoleshenca drejt pjekurisë. Grupi i miqve përballet me realitetin e ashpër për shkak të gjendjes së Mimisë, e cila vuan nga tuberkulozi. Ajo vdes në krahët e Rodolfos së saj dhe ndryshon përgjithmonë fatin e të gjithë personazheve. Në faqen e tij TKOB shkruan se stina e dimrit do të na kujtonte gjithmonë një opera si “La Boheme”, një të ftohtë të cilin mund ta ngroh vetëm dashuria. “Dashuria në formën me te vërtetë që mund të shpërfaqet nga katër te rinj. Një nga kryeveprat e Puçinit rikthehet sonte në mbrëmje e saj të dytë pas një premiere te mbushur me energji elektrizuese”, shprehej teatri më parë. Sonte në natën e fundit në skenë janë artistët Nina Muho -Mimi, Dorina Selimaj -Musetta, Raffaele Abete -Rodolfo, Paolo Ingrasciotta -Marcello, Ogert Islami -Schaunard , Xhieldo Hyseni -Colline, Bledar Domi -Benoit, Alcindoro, Gerald Murrja – Parpignol dhe Erlind Zeraliu -Sergente dei Doganieri.
https://sot.com.al/kultura/opera-la-boheme-tkob-nje-nga-kryeveprat-e-pucinit-i481877