“Rrok’e agimin” bëri bashkë vokalistët lirik dhe ato të muzikës rrok në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vikena Kamenica, Denis Skura, Renisa Lacka, Ivana Hoxha, Xhieldo Hyseni dhe artistët e ftuar Kamela Islamaj dhe Gjergj Kaçinari ishin pjesë e koncertit. Dirigjent Edmond Doko, solistë instrumentistë Etrita Ibrahimi në piano dhe Nikola Kondakçi në violinë. Këngët e luftës, të stilizuara nga artistët e rinj, në ritmet rock erdhën në skenën tonë shoqëruar nga një formacion i madh, i orkestrës, bandës pop & rock dhe korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Më parë TKOB shprehej se për një artist, risitë janë gjithmonë nxitje për kulme të reja suksesi. “Solistët e TKOB, projektet risi në 4-tër vitet e fundit, i kanë pasur të shpeshta dhe performancat e tyre në këto shfaqje, janë emocione të rralla në karrierën e secilit. Në një koncert “rock” si do të përshtatet mezzo soprano Ivana Hoxha, tenori Denis Skura, soprano Renisa Laçka dhe baritoni Xhieldo Hyseni? Në 28 dhe 29 nëntor, ata performojnë së bashku me shumë të tjerë në koncertin gala “Rrok’e agimi””, shprehej teatri rreth koncertit dhe artistëve. Në koncert ishte dhe pjesëmarrja e trupave artistike të Ansamblit Popullor, grupi polifonik i Lapardhasë dhe i Tepelenës. Koncert gala “Rrok’e agimin” erdhi në skenë për publikun në kuadër të festave të nëntorit. Ideja Zana Çela drejtore e përgjithshme e TKOBAP, skenari Josif Papagjoni, koreografia nga Gerd Vaso, Enada Hoxha, Julind Dervishi, orkestrues Alfred Kaçinari, Gjergji Kaçinari, Gerd Druga dhe dirigjent kori Dritan Lumshi. Në program krijimtaria muzikore e autorëve të njohur si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Mustafa Krantja, Dhora Leka, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Lalo, Limos Dizdari, etj. Në program u sollën këngë të ndryshme, muzikë filmash, etj. Midis tyre “Kënga e Mine Pezës”, “Heronjtë e Pojskës”, suitë me këngë partizane, romanca nga filmi “Njeriu me top”, “Partizani i vogël”, “Këputa një gjethe dafine”, etj.
Published on 01 12 2021