Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po udhëton në qytete të ndryshme për të festuar festat e flamurit, pavarësisë dhe çlirimit. Koncerti i parë u zhvillua në qytetin e Shkodrës më datë 25 nëntor, për të vijuar sot në Prizren në Pallatin e Kulturës, ku merr pjesë e ftuar dhe “Shkurte Fejza “Mjeshtre e Madhe”. Artistët e AKKVP do të jenë dhe në qytetin Vlorës për koncertin, që do të zhvillohet më datë 27 nëntor në sheshin e qendrës historike. Drejtori artistik Sokol Marsi shprehet se këto koncerte janë menduar me një program të pasur muzikor dhe zhvillohen paradite, që edhe publiku të festojë. “Në kuadër të Javës së Flamurit, Ansambli Popullor zhvillon koncerte në tre kryeqendrat e pavarësisë. Në Shkodër, Prizren dhe Vlorë. Koncertet janë në orën 11:00 të paradites për arsye se Ansambli Popullor këtë herë shkon në sheshe së bashku me publikun duke festuar”, u shpreh drejtori artistik Sokol Marsi pas koncertit, që u zhvillua në qytetin Shkodrës të enjten. Në lidhje me këto koncerte ai thotë se programi është menduar me frymën patriotike. Në qytetin e Shkodrës u zhvillua koncerti i parë të enjten, ku drejtori artistik Sokol Marsi thotë se u mirëprit. “Programi është ndërtuar me këngët dhe vallet më të bukura me tema patriotike dhe atdhetare. Merrnin pjesë grupi i valles, grupi koral, grupi polifonik dhe grupi “Artistët e së Ardhmes” pranë Ansamblit Popullor. Me ovacione u pritën në publik vallet “Festë e Madhe”, dhe “Vallja e Shqipeve”, si edhe këngët “Kaçaniku shkëmb e gurë” dhe kolazhi me këngë patriotike. Në fund të koncertit publiku u bë njësh me artistët, të cilët kërcyen së bashku si një trupë e tëra”, shprehet Sokol Marsi, drejtor artistik i Ansamblit Popullor.

https://sot.com.al/kultura/ansambli-popullor-ne-qytete-te-ndryshme-me-koncerte-tema-patriotike-e-at-i477507?fbclid=IwAR3WO42H10uzC159BflGMC_AwAAfdqQerstv7zn69lpG8gZxa2CmNh1N9nI