Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka publikuar aktivitetet, që janë zhvilluar gjatë javëve të fundit. Në 14 nëntor institucioni shprehej se në 2 javët që lamë pas i ofroi publikut evente të larmishme. Më 2 nëntor, në konferencën për median, drejtoresha e përgjithshme Zana Çela prezantoi botimin e katalogut të titulluar “Teatri i së ardhmes, në kuadër të 65 -vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i cili tregon në imazhe gjithë aktivitetin e teatrit tonë gjatë viteve 2016-2020, dhe premierën e trupës së baletit të titulluar “Humus” të koreografit të ri Julind Dervishi. TKOB shkruan se në datat 1, 2, 3 dhe 8 nëntor, Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën dirigjimin e Edmond Dokos dhe narracion të Ligoraq Rizës, shfaqi përrallën muzikore për fëmijë “Petja dhe ujku” të kompozitorit Sergei Prokofiev. “Këto shfaqje janë në kuadër të projektit të “Edukimit përmes artit”, një sukses i TKOBAP”, shprehet institucioni në faqen e tij. Në datat 5 dhe 6 nëntor u shfaq për publikun nga trupa e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) premiera absolute e baletit “Humus” e koreografit të ri, Julind Dervishi. Më 9 nëntor, në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u shfaq koncerti vokal- instrumental i sopranos, Sonila Baboçi, “Romantikët francez”, (G.Faure, J.Massenet, Ch.Gounod). Me pjesëmarrjen gjithashtu të sopranos Dorina Selimaj, baritonit Artur Vera, pianistes Herta Cane, violinistit Nikola Kondakçi dhe violinçelistes Jona Çegrani. Në datat 12 dhe 13 nëntor , në hollin koncertor të TKOB u shfaq opera koncertale “L’Elisir d’Amore” e kompozitorit Gaetano Donizetti, produksion i operastudio, i cili ngjiti në skenë 7-të solistë të rinj, artistët e së ardhmes së bashku me artistët e karrierës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB).
https://sot.com.al/kultura/tkob-prezanton-aktivitetin-e-dy-javeve-premiera-dhe-koncerte-i475684