Baleti “Humus” shënon premierën të premten në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pjesa me koreografi nga Julind Dervishi vjen në skenë më 5 dhe 6 nëntor, në kuadër të projektit “Artistët e së ardhmes”. Nën rrymën e lakmisë dhe të paditurisë, në vend që të mbanim gjallë natyrën, ngadalë i sollëm shkatërrimin. Në fakt qëllimi i njerëzimit duhet të ishte “ushqimi” i saj, për ta bërë të frytshme. Këtë mesazh do të përcjellë, koreografi Julind Dervishi përmes krijimtarisë koreografike, në një vepër ku balerinët e trupës së baletit e dëshmojnë përmes lëvizjeve të trupit. Shfaqja u prezantua të martën nga drejtoresha Zana Çela, koreografi Julind Dervishi dhe artistë të tjerë. Ka një sërë dimensionesh që trajtohen në këtë shfaqje, ku jo vetëm ekziston hapësira për argëtim por mbi të gjitha do të ndërgjegjësohemi për ti hedhur sytë nga e ardhmja, e për të kontribuuar shëndetshëm në favor të natyrës. Në konferencë të martën drejtoresha Zana Çela tha se premiera është një nga shembujt më të mirë të promovimit të krijuesve te rinj. ““Humus” titullohet shfaqja premierë e trupës së baletit me koreografi të Julind Dervishi. “Humus” është një apel për mbrojtjen e tokës, natyrës. Është një krijimtari kontenporane, në të cilën Julind Dervishi ka përfshirë të gjithë trupën e baletit”, tha ajo. Drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, znj. Zana Çela prezantoi dy ngjarje të rëndësishme. Botimin e katalogut “Teatri i së ardhmes”, në kuadër të 65 -vjetorit të krijimit të TKOBAP, i cili tregon në imazhe të gjithë aktivitetin e teatrit tonë gjatë viteve 2016-2020, periudhë në të cilën u synua si asnjëherë tjetër, afrimi i operës me publikun e gjerë, jo vetëm përmes shfaqjeve në kryeqytet, por edhe turneve dhe shfaqjeve openair. Në fjalën e saj Çela theksoi se në këtë katalog, një vend të veçantë kanë shfaqjet ku kanë debutuar artistët e rinj, që kanë qenë të shumtë në numër, si këngëtarë, balerinë, instrumentistë, por edhe krijues, regjisor e skenograf, talente të ndriçimit, etj.
Published on 03 11 2021