Në dy javët që lamë pas, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i ofroi publikut një sërë aktivitetesh, ku nuk mungoi dhe Ansambli Popullor. TKOB ka publikuar aktivitetet gjatë dy javëve, ku është dhe botimi i katalogut. “12 tetor, në konferencën për median, drejtoresha e përgjithshme znj. Zana Çela prezantoi: Botimin e katalogut të titulluar “Historia në imazhe”, i cili përfshin 132 shfaqje premiera absolute dhe është botimi i parë i këtij lloji i teatrit të Operës; Kalendarin për sezonin e ri artistik 2021 – 2022 që përkon me 65 -vjetorin e krijimit të Teatrit të Operës dhe Baletit”, shkruan institucioni. Më 14 tetor u shfaq koncerti vokal – simfonik “Baketa e parë e operas shqiptare” -Mustafa Krantja “Nderi i Kombit”. Më 16 tetor u shfaq koncerti “Symphony Nr.9” e kompozitorit Ludwig van Beethoven. Në vijim TKOB shprehet se më 17 tetor Maratona e Tiranës u mbush me tingujt e këngëve dhe valleve më të bukura të qytetit, nga artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ndërsa me rastin e “Ditës Botërore të Operës” Teatri Kombëtar i Oeprës dhe Baletit shfaqi me sukses në datat 23, 24, 25 dhe 26 tetor operën “LaTraviata”. Teatri shprehet se publiku ndoqi në rolin e Violetta Valery katër soprano. “Eva Golemi, Nina Muho dhe sopranot e reja Simona Karafili dhe Renisa Laçka. Katër sopranot emocionuan çdo natë, njësoj publikun me vokalet dhe interpretimin e kryerolit më kompleks të repertorit operistik. Roli i Alfredo Germont erdhi nga dy tenorët e rinj, Denis Skura dhe Klodjan Kaçani, të cilët u duartrokitën gjatë nga publiku”, shprehet TKOB. Ndërkohë që roli i Giorgio Germont erdhi nën interpretimin e baritonëve Ylber Gjini dhe Armando Likaj, që dominuan me performancat e tyre, për timbrikën vokale dhe forcën e interpretimit. Ekzekutimi i orkestrës dhe korit ishte nën drejtimin e dirigjentes së re Deniola Kuraja.
Published on 02 11 2021