Me rastin e “Ditës Botërore të Operës” Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit solli për publikun operën “La Traviata” të Verdit. TKOB shprehet se kjo shfaqje ishte me sukses dhe ndryshe nga çdo vënie skenike, këtë herë u vendos që çdo mbrëmje të mos kishte përsëritje në rolin e Violetta Valery, duke i dhenë mundësi publikut ta ndiqte këtë rol të interpretuar nga katër soprano. “Eva Golemi, Nina Muho dhe sopranove të reja që e interpretuan për herë të parë: Simona Karafili dhe Renisa Laçka. Katër sopranot emocionuan, çdo natë, njësoj publikun me vokalet dhe interpretimin e kryerolit më kompleks të repertorit operistik. Edhe roli i Alfredo Germont u interpretua për herë të parë nga dy tenorët e rinj, Denis Skura dhe Klodjan Kaçani, që u duartrokitën gjatë nga publiku. Ndërkohë që roli i Giorgio Germont u nda në katër net midis baritonëve Ylber Gjini dhe Armando Likaj, që dominuan me performancat e tyre, për timbrikën vokale dhe forcën e interpretimit”, shkruan TKOB. Institucioni bën me dije se edhe pse rivënie, “La Traviata” ishte shfaqje premierë për pjesën më të madhe të personazheve, që ishin artistë të rinj. “Ekzekutimi i orkestrës dhe korit nën drejtimin e dirigjentes se re Deniola Kuraja, i dha ngjyrime të forta mbështetjeje artistëve të rinj”, shprehet TKOB. Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violetës dhe Alfredos, janë në operën “ La Traviata” të Xhuzepe Verdit. Bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. Opera me tre akte e Verdit në TKOB solli katër shfaqje në skenën e re, me katër kaste të ndryshme artistësh. Pas mbrëmjeve të fundjavës në datat 23 dhe 24, opera vijoi dhe në datat 25 dhe 26 tetor. “La Traviata” është bazuar në veprën “Zonja me kamelie” e Alexander Dyma. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje.
https://sot.com.al/kultura/tkob-la-traviata-4-sopranot-emocionuan-cdo-nate-i472229