“Annonciaton” dhe “La Stravaganza” dy balete të krijuara nga koreografi me famë botërore Angelin Prelocaj shfaqen për dy net me radhë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Shfaqjet vijnë mbrëmjet e së premtes dhe të shtunës, 24 dhe 25 shtator ndërsa në Tiranë ka ardhur asistente koreografja e kompanisë së Angelin Preljocaj, Natalia Naidich. Shfaqjet do të jenë në orën 19:00 të mbrëmjes në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit për publikun. Të dyja shfaqjet e koreografit Preljocaj janë pjesë e programit artistik, që u bë me dije disa ditë më parë për hapjen pas pesë vitesh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Annonciaton” është një temë totalisht e pa prekur në artin koreografik. Bashkëjetesa e çuditshme e pranimit dhe rebelimit, përplasja e hapësirës dhe kohës. Në ikonografinë tradicionale, Maria shpesh shfaqet në një kopsht të mbyllur ose me mure, duke simbolizuar virgjërinë e saj. Prandaj, ekziston një paralele midis asaj që mund të quhet hapësira e saj e brendshme dhe rrethinës së saj. Kjo ardhje në jetë në faza graduale na çon në zemër të procesit të krijimit të artit; mesazhi nuk është më një abstraksion, është realitet. Në vend që diçka të përfundojë, a nuk është ajo që ne e quajmë në ditët e sotme art konceptual, paralajmërimi i një arti të ri, “Shpallja” e një arti që ende nuk ka lindur? “La Stravaganza” nga njëra anë Lindja me kulturën e saj të lashtë dhe nga ana tjetër Amerika. Historia e së shkuarës, e cila rikthehet si një bumerang. Njerëz të dalë nga balta që sjellin diçka të re. Për shkak të protokolleve të sigurisë ne lidhje me covid 19, do të përdoret vetëm 30 për qind e sallës.

https://sot.com.al/kultura/annonciaton-dhe-la-stravaganza-dy-balete-te-krijuara-nga-angelin-preljoc-i465198?fbclid=IwAR0UAFiP6BwHBll8M1TY-MXGf75agLVT7rgyJEOdTVuPCpWoXrJf68JkaS0