Pesë vjet me dyer të mbyllura për artistët e publikun, por rihapja e Teatrit të Operës dhe Baletit ka hapur edhe një kapitull të ri për këtë institucion. Koncertit ia kanë shtuar peshën pjesëmarrja e tenorit të famshëm spanjoll, Plácido Domingo, dhe e sopranos së njohur shqiptare, Ermonela Jaho. Mbi dhjetë milionë euro janë investuar në objektin e TOB-it

I tillë, siç ishte paralajmëruar, ka qenë koncerti me të cilin është inauguruar Teatri i rikonstruktuar i Operës dhe Baletit, të mërkurën mbrëma – një grand-gala me pjesëmarrjen e yjeve, e peshën ia kanë shtuar tenori i famshëm spanjoll, Plácido Domingo, dhe sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho. I kanë pritur në skenë artistët me eminentë shqiptarë dhe krejt ky organizim është shenjë e një kapitulli të ri të TOB-it, i cili rihapet pas punimeve që zgjatën hiç më pak se pesë vjet.

Skena ku dyshja Domingo-Jaho ka sjellë arie nga “La Traviata” e Verdit tashmë u ngjan atyre botërore ku kanë shkelur përgjatë karrierës. Dalja e këngëtarit lirik spanjoll qe pika kulmore e mbrëmjes dhe ka qenë kolegia e tij shqiptare ajo që e ftoi para publikut. Por Jaho nuk harroi të kujtojë hapat e parë të karrierës që i bëri pikërisht nga kjo skenë, në të cilën rikthehet pasi ka pushtuar ato botërore. “Edhe pse e vogël, por me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, këtu filloi ëndrra ime për t’u bërë këngëtare operistike. Ashtu si ata breza që na kanë frymëzuar neve, na kanë dhënë këtë shpresë, këtë forcë, uroj që ky teatër dinjitoz t’u japë të njëjtën shpresë, të njëjtin frymëzim, edhe brezave të rinj. Thuhet që ëndrrat janë të vështira për t’u arritur, por unë e arrita ëndrrën time, dhe ëndrra ime fillon pikërisht këtu”, ka thënë Jaho.

Ka thënë se sa herë që pedagogët e tyre, këngëtarët e bashkëkombësit e saj që kanë dalë nga kjo skenë kanë folur e ëndërruar për idhujt.

“Ishte diçka e jashtëzakonshme të kishim qoftë edhe një regjistrim të tyrin, dhe pikërisht njëri nga ata idhujt tanë, që nuk ka nevojë për prezantim, këndon në këtë skenë dinjitoze. Me pak fjalë, ftoj në skenë legjendarin Placido Domingo”, ka thënë sopranoja, duke ia lënë skenën legjendarit spanjoll që dhuroi emocione të forta me interpretimin e tij.

Pjesa e programit që kanë sjellë artistët shqiptarë – ndër të cilët soprano e parë të TOB-it, Eva Golemi, mezosopranoja Vikena Kamenica, baritoni Armando Likaj, artisti Klodian Kaçani, si dhe të tjerë emra të njohur – ka ardhur si rrëfim që fillon me historinë se si nisi krijimtaria skenike shqiptare. Përveç programit vokal janë shfaqur pjesë nga baleti i Angjelin Preljocajt, “La stravaganca”. Jehona e koncertit të së mërkurës, i konceptuar edhe si një homazh ndaj atyre që kontribuuan ndër vite, ka vazhduar edhe një ditë pas, të enjten. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur ditën me shpërndarje imazhesh nga mbrëmja ku ishte i pranishëm edhe ai. Një ngjarje e tillë është vlerësuar si kapitull i ri për TOB-in e për brezin e ri të artistëve.

“…dhe me disa momente nga mbrëmja emocionuese e ngritjes së perdes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku talentet e Shqipërisë lirike shkëlqyen mrekullisht përreth yllit të Ermonela Jahos e Placido Domingos, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar kryeministri Rama.

Intepretimi i këngëtarit lirik spanjoll qe pika kulmore e mbrëmjes…

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se mirëpritja e publikut në sallën e rinovuar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit qe moment i veçantë. “Një emocion i jashtëzakonshëm t’u bëje homazh korifenjve të skenës, që dot nuk e panë këtë skenë plot dritë dhe këto ambiente të rinovuara; të takoja artistët që kanë ruajtur dinjitetin edhe në skenën e brejtur nga koha dhe harresa. Tashmë ky teatër u është rikthyer atyre dhe publikut”, ka komentuar Margariti.

Salla e Teatrit të Operës dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975. Rikonstruksioni i nisur në janar të 2017-s e zhvendosi aktivitetin jashtë godinës. Skena e teatrit është rikonceptuar me dy ballkonata, ndërsa është siguruar akustika maksimale. Projekti fillestar i rikonstruksionit është 10 milionë euro, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë.

https://www.gazetaexpress.com/teatri-i-operes-dhe-baletit-hap-kapitull-te-ri-me-mbremjen-e-yjeve/